Përkundër përpjekjeve të shtuara së fundmi nga euro-amerikanët, ka pak shpresë se gjatë këtij viti do të fillojë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pozitë dhe opozitë janë skeptike për një gjë të tillë, derisa e fajësojnë Serbinë për qasje destruktive.

Në anën tjetër, njohësit e procesit të dialogut, akuzojnë Bashkimin Evropian si ndërmjetës të dialogut se nuk kanë mekanizma të duhur për të vendosur në binarë dialogun.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se pa pasur një nënshkrim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, po ashtu edhe të planit të sekuencimit nuk mund të ketë zbatim të tyre.

“Është standard ndërkombëtar, por sidomos evropian se kur kemi një marrëveshje kemi edhe nënshkrim të marrëveshjes. Duhet të adresojmë këtë tendencën për të normalizuar këtë botëkuptim se kemi marrëveshje edhe kur nuk kemi nënshkrim. Nëse kemi nënshkrim dhe kemi dakordim atëherë duhet të kemi edhe nënshkrim. Nënshkrimi edhe garanton pranimin dhe zbatimin. Në fund të fundit është praktikë normale e BE-së nënshkrimi, kurse e kundërta është praktikë jo normale që të kemi marrëveshje ndërkohë që nuk kemi nënshkrim. Për Kosovën është tërësia dhe marrëveshja”, thotë ai.

Skeptik është edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili thotë se negociatat për planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjeve mund të vazhdojnë gjatë, deri pas themelimit të qeverisë së re në Serbi. Megjithatë, ai e vë në mëdyshje edhe pranimin real të kryeministrit Kurti të propozimit euro- amerikan për draftin e Asociacionit, duke thënë se edhe në Kosovë mund të ketë zgjedhje të reja.

“Negociatat me siguri do të vazhdojnë edhe gjatë, po besoj deri pas zgjedhjeve në Serbi dhe do të fillojnë ndoshta me themelimin e qeverisë së re, nëse nuk ka zgjedhje edhe në Kosovë që pastaj të prolongohet edhe një katër-pesë muaj”, deklaron ai.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë se ngecja dhe pasiguria për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit është për shkak se Serbia nuk është e interesuar të zbatojë asgjë në atë ujdi, përveç Asociacionit.

“Ne kemi ngecje në këtë drejtim dhe kemi një pasiguri për marrëveshjet që janë bërë. Ju e dini që Serbia nuk është e interesuar që të implementojë asnjë marrëveshje dhe sidomos tani kohëve të fundit, kur kemi pa sulmin me 24 shtator. Serbia nuk ka ndryshuar fare sa i përket çështjes së Kosovës”, thekson Lekaj.

Nga ana tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi, thotë se dialogu ka rrëshqitur në një pikë ku palët vetëm e akuzojnë njëra- tjetrën, pasi BE-ja nuk po ka mekanizma për t’i detyruar të zbatojë ujdinë e dakorduar.

Ai thotë se as themelimi i Asociacionit nuk beson se do të ndodh, përkundër që kryeministri Kurti ka thënë se e pranon draftin e emisarëve euro-amerikanë për të njëjtin.

“Dialogu ka rrëshqitur në një pikë ku palët akuzojnë njëra-tjetrën. Fasilituesi nuk po i ka mekanizmat e duhur për të vendosur në binarë të sigurt dialogun. Ky është krejt problemi që deri tash e kemi pa dhe një problem tjetër do të jetë zbatimi i kësaj marrëveshje, kjo është pikëpyetja e madhe, kur fillon, kush e fillon dhe çka zbaton. Fasilituesi nuk po e ka asnjë mekanizëm që me i detyru palët me zbatu në një formë ligjore. Zbatimi i Asociacionit nuk besoj se do të ndodh nëse nuk kemi garancione dhe siguresa të fuqishme juridike nga BE-ja. Ne nuk e dina se si do të shkojë Kosova vitin e ardhshëm nëse nuk kemi minimumin njohjen nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së”, thotë ai.

Pas dështimit të arritjes së rezultateve në takimin Kurti-Vuçiq më 14 shtator dhe pas sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, diplomatët euro- amerikanë më 21 tetor paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që u tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e refuzoi.

Drafti nga institucionet e Kosovës nuk është publikuar ende, megjithatë, një të tillë e ka publikuar ish- kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, i cili ka thënë se ai është origjinali që është propozuar nga euro-amerikanët.

Gjatë kësaj jave shqetësime për draftin e Asociacionit ngriti edhe presidentja e Kosovës, e cila tha se janë dy-tri elemente që kanë dykuptimësi dhe që duhen sqaruar./kp/

/TV Malisheva

Share.