Parlamenti Evropian më 4 dhjetor 1991 i ndau Çmimin Saharov, veprimtarit Adem Demaçi duke e konsideruar si luftëtar të paepur për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Duke e pranuar çmimin si homazh për popullin e Kosovës, Demaçi tha se “liria e fjalës është hapi i parë vendimtar drejt demokracisë. Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog e vërteta nuk mund të vendoset dhe pa të vërtetën përparimi është i pamundur.”
Këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharovi, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel. Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se “duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar”.
Çmimi Saharov për lirinë e mendimit, i pagëzuar sipas disidentit dhe shkencëtarit nga Bashkimi Sovjetik Andrej Saharov (Andrei Sakharov) është themeluar në dhjetor 1988 nga Parlamenti Evropian për të nderuar individët apo organizatat që i kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Ai ndahet çdo vit rreth datës 10 dhjetor, ditë në të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, që është e njohur edhe si Dita e të Drejtave të Njeriut.
Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet serbe e akuzonin për luftënxitje.
Në shkurt 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel për letërsi. Në shtator 1994, u kandidua sërish – tani për çmimin Nobel për Paqe, me ç’rast theksoi se “ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar”. Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos.
Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë e të inteligjencës paqedashëse norvegjeze që t’i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndërkombëtar për problemin e Kosovës.
Adem Demaçi u lind në Prishtinë, më 26 shkurt të vitit 1936. Me prejardhje ishte nga fshati Lupq i Podujevës.
Është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Demaçi nuk hezitonte asnjëherë të dënonte padrejtësitë e shumta të regjimit serb.
Në vitin 1958 është dënuar me 5 vjet burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi dënohet 15 vjet burg.
Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet, disa prej tyre në qeli i vetëm, gjatë kohës së regjimit të egër në RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995.
Gjatë periudhës 1998-1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.
Pas luftës u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Demaçi ishte autor i disa librave: “Fërkime”, “Gjarpijtë e gjakut”, “Libër për Vet Mohimin”, “Heli e Mimoza”, “Nëna Shegë e pesë gocat”, “Shkrumbnajë e dashur”, “Dashuria Kuantike e Filanit”, “Alb Prometeu”, “Politika”, “Pushka” dhe “Tung vargu im”. Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018.
/TV Malisheva