Gjykata Speciale me seli në Hagë edhe zyrtarisht ka publikuar vendimin me të cilin ka bërë të ditur se janë kthyer vizitat dhe telefonatat për ish-krerët e UÇK-së.

Për këtë vendim ishte raportuar nga e shtuna në mbrëmje.

Në vendimin që është bërë publik nga Dhomat e Specializuara të Hagës, thuhet se nuk është vërtetuar koha kur vizitorët e mundshëm, kishin tentuar të kenë kontakte me dëshmitarët e mbrojtur.

“Në secilin rast, individi(ët) që iu afruan dëshmitarit pretenduan se ata po veprojnë në emër të një ose më shumë prej tre të akuzuarve, ose në emër të dikujt që lidhet me tre të akuzuarit.7 Sidoqoftë, në secilin rast, individi(ët) që bënë qasjen nuk është treguar se kanë vizituar asnjë nga tre të akuzuarit gjatë kohës kur informacioni përkatës i dëshmitarit iu zbulua të akuzuarit dhe kur ndodhi përpjekja për ndërhyrje”, thuhet në hyrje të vendimit.

“Paneli nuk ka përcaktuar se ndonjë nga këto përpjekje për të ndërhyrë me dëshmitarët e Prokurorisë mund t’i atribuohet ndonjërit prej të akuzuarve, duke vepruar bashkërisht ose individualisht. Megjithatë, Paneli thekson se informacioni në lidhje me identitetin e dëshmitarëve të PSP-së dhe rendin në të cilin ata thirren është i qasshë, vetëm për një numër të kufizuar njerëzish të përfshirë në këto procedura. Paneli më tej thekson se përpjekjet e tilla paraqesin një sfidë të madhe për integritetin e këtyre procedurave, të cilat Paneli nuk do ta tolerojë”, thuhet më tutje në vendim.

Trupi gjykues ka përsëritur qëndrimin se të akuzuarve nuk iu lejohet në asnjë mënyrë zbulimi i emrave të dëshmitarëve të mbrojtur. Por, ata kanë lënë të hapur mundësinë e tentim-ndikimit nga disa prej krerëve të UÇK-së.

“Paneli nuk ka përcaktuar nëse sjellja e përshkruar më lart përfshin kryerjen e një vepre penale nga ana e z. Thaçi. Megjithatë, Paneli ka përcaktuar se veprimet e përshkruara më lart janë tregues i një rreziku thelbësor që, pa marrë masa adekuate, z. Thaçi mund të përfshihet në sjellje të ndaluara që mund të rrezikojnë sigurinë e dëshmitarëve dhe/ose integritetin e procedurës”, thuhet në vendim.

Vendimi është marrë edhe lidhur me kërkesën që Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, të mbahen të ndarë nga të tjerët. Edhe kjo kërkesë e Prokurorisë është refuzuar.

“Paneli konstaton se, përderisa ndarja e tre të akuzuarve do të siguronte që ata të mos mund t’i përdorin të burgosurit e tjerë si ndërmjetës për të përhapur informacione konfidenciale, duhet të merren parasysh faktorë shtesë. Në veçanti, Paneli thekson se deri më tani nuk ka asnjë indikacion se ndonjë nga tre të akuzuarit ka kërkuar të përdorë një të paraburgosur tjetër për të ndërhyrë në procedurë ose për të zbuluar informacione konfidenciale. Gjithashtu nuk ka asnjë tregues se ndonjë i burgosur tjetër është i përgatitur të përfshihet në një sjellje të tillë në emër të tyre. Së dyti, masa të tilla do të kishin një efekt gërryes të rëndë mbi të drejtat e tre të akuzuarve. Së fundi, Paneli konsideron se qëllimi legjitim i ndjekur mund të arrihet me masa që janë më pak invazive ndaj të drejtave të atyre që janë në fjalë dhe që për këtë arsye duhet të preferohen ndaj ndarjes. Prandaj, në këtë fazë, Paneli nuk është i bindur se masat e ndarjes do të ishin të nevojshme dhe/ose proporcionale bazuar në informacionin që është aktualisht para Panelit”, thuhet në vendi, raporton Gazeta Nacionale.

Kurse, lidhur me vizitat dhe komunikimet e tjera, trupi gjykues gjithashtu ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë. Megjithatë, ka përgatitur një listë të gjatë masash dhe veprimesh të cilat duhet të ndërmerren për një kontroll më strikt të këtyre komunikimeve në Qendrën e Paraburgimit.

Këto kushte, Nacionale do t’i publikojë pas pak në një tjetër artikull.

Krejt në fund, thuhet se kërkesa e Prokurorisë është pranuar vetëm pjesërisht për 4-5 paragrafe, kurse pjesa tjetër është refuzuar. Gjithashtu, është anuluar vendimi i parë i përkohshëm i trupit gjykues, nëpërmjet të cilit ishin kufizuar komunikimet dhe vizitat në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

/TV Malisheva

Share.