Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka reaguar ashpër lidhur me ndalimin e vizitave dhe telefonatave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

KMDLNj këtë vendim e ka cilësuar si shkelje që është ndërmarrë nga gjykata raciste për pengjet e Kosovës, teksa tha se mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies ka bërë që ZPS-ja sillet si “elefanti në dyqanin e qelqurinave “duke sajuar prova, bashkë me shtetin e Serbisë, duke joshur dhe duke blerë dëshmitarë.

“Lëvizja e fundit e ZPS –së për të bërë përpjekje t’i penalizojë pengjet duke ua pamundësuar vizitat dhe kontaktet përmes transkripteve patologjikisht të redaktuara tregon se sa janë të interesuar për të drejtat e njeriut, standard “udhëheqës“ për këtë Gjykatë”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e KMDLNj-së.

Reagimi i plotë:

Kohë më parë ZPS doli me një propozim për Gjykatën Raciste Speciale që pengjeve që po
mbahen aty, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës t’iu ndalohen të gjitha vizitat, telefonatat dhe kontaktet me jashtë përveç vizitave të privilegjuara (me avokatë dhe familjarë).

Madje, që shkelja të bëhej edhe më e rëndë propozuan që pengjet të ndahen të veçuar, pa
mundësi ta takojnë njëri–tjetrin. Si arsyetim për këtë kërkesë, në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria, ZPS -ar paraqiti një transkript krejtësisht të paqartë dhe të redaktuar me qëllim të inkriminimit të personave të përgjuar në mjediset e vizitave dhe aty ku qëndrojnë me qëllim që të shkaktojë më shumë efekte në opinion kinse për rrezikim të dëshmitarëve të mbrojtur se që vërtetë donin të dëshmonin shkelje ligjore nga të burgosurit, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës.

Po me këtë transkript të një përgjimi selektiv dhe brutalisht të redaktuar me qëllim që të keqpërdoret nga ZPS –ë, për të arsyetuar bastisjet e shumta në Kosovë dhe konfiskimi i pajisjeve elektronike, librave dhe materialeve tjera.Thuaja në të njëjtën kohë kryetarja e kësaj Gjykate Raciste ishte në një vizitë “informuese“ në Prishtinë për t’u takuar me të ashtuquajturën shoqëri civile dhe media të “pavarura“, një pjesë jo e vogël e të cilave ndanë qëndrime të njëjta me GJRS që edhe e shpehë publikisht në media, kryesisht për përfitime materiale. Kjo vizitë u pritë me protesta kundërshtuese të PSD-së, Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së dhe individëve të tjerë. Protesta u shtyp me dhunë nga Policia e Kosovës me ç’rast u arrestuan (edhe nga personeli i sigurimit !!!!!) 6-të protestues të PSD-së dhe u dërguan në mbajtje policore prej 48 orëve.

Në një intervistë në një transmetues privat, Ekaterina Trandafilova deklaroi se të akuzuarit që tani po gjykohen mund të dënohen me burg të përjetshëm që, mbështetur në pozitën që e ka paraqet konflikt interesi dhe paragjykim brutal të parimit të prezumimit të pafajësisë. Gjithashtu foli edhe për masat që eventualisht mund të merren ndaj këtyre që janë zbatuar përgjimet selektive dhe kriminale.

Sipas burimeve të pakonfirmuara, po kjo Ekaterina Trandafilove përveç se është takuar me akterë ndërkombëtarë, në një mbrëmje, jashtë syve dhe veshëve të publikut ka pasur takim edhe në ministrinë e Drejtësisë, e shquar që nuk e ka lëvizur as gishtin e vogël në mbrojtje të të drejtave të njeriut të personave që po gjykohen para GJRS në Hagë.

Mungesa e transparencës shkaku se kjo Gjykatë nuk monitorohet nga askush (monitorim i stisur nga Ombudspersoni i Holandës) dhe mungesa e llogaridhënies (i jepë “llogari“ punëdhënësit – finacuesit e jo themeluesit) ka bërë që ZPS të sillet si “elefanti në dyqanin e qelqurinave“ duke sajuar prova, bashkë me shtetin e Serbisë, duke joshur dhe duke blerë dëshmitarë, duke fshehur prova shfajësuese për të akuzuarit, duke refuzuar thirrjen si dëshmitarë të personaliteteteve politike dhe diplomatike ndërkombëtare, duke redaktuar në mënyrë të shëmtuar dëshmitë dhe duke e shndërruar në “modus vivendi dhe operandi“ proceset e mbyllura, pa publik.

Lëvizja e fundit e ZPS –së për të bërë përpjekje t’i penalizojë pengjet duke ua pamundësuar vizitat dhe kontaktet përmes transkripteve patologjikisht të redaktuara tregon se sa janë të interesuar për të drejtat e njeriut, standard “udhëheqës“ për këtë Gjykatë. Ata që i përcjellin raste të ngjashme le të bëjnë krahasime midis trajtimit të Rudolf Hesit (i dënuar me burg të përjetshëm në Gjykatën e Nyrembergut) në Burgun Shpandau dhe trajtimit që ua bënë ZPS –ë pengjeve që po mbahen në Hagë, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës.

/TV Malisheva

Share.