Shkruan: Afrim Kasolli- Ka ditë që draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i përpiluar nga BE-ja, i është shpërndarë edhe partive politike opozitare. Ato tashmë e kanë në duar të tyre këtë dokument “sekret” për ndarjen e brendshme territoriale të Kosovës. Pra, tashmë nuk është fjala për dokumente që kanë rrjedhur në publik nga burime sekondare, por konkretisht është për një variant zyrtar.

Mirëpo, një fenomen i çuditshëm është duke ndodhur në skenën politike. Deri sa Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet përfaqësueseve të saj kryesorë, duke përfshirë edhe Kryetarin e subjektit, Lumir Abdixhiku, thuajse ka nisur një “fushatë” për ta vlerësuar këtë draft-statut dhe rreziqet qe ai i paraqet për të ardhmen e Kosovës nëse zbatohet, PDK-ja si partia më e madhe aktualisht opozitare, po shpërfaqë këto ditë një heshtje të çuditshme për këtë temë.

Me përjashtim të ndonjë zyrtari të saj, thuajse figurat kryesore të partisë nuk janë dalluar ende për ndonjë qëndrim të qartë për draft-statutin. Madje as nuk kanë treguar nëse e kanë lexuar. Çfarë edhe ka shumë mundësi.

Kryetari i partisë dhe disa nga nënkryetarët e saj, nuk janë bërë të gjallë që nga dita që e kanë pranuar draftin. E as nuk kanë dhënë vlerësime politike më të detajuara për të. E lërë më t’i tregohet opinionit se a është i pranueshëm për këtë parti ky variant. Ndërkohë, janë të njëjtit që nuk ngurojnë të deklarohen për çështje shumë më triviale që përfshijnë që nga ato të modës e deri te instilacionet e ndryshme artistike.

Ky qëndrim taktik mbase më të drejtë mund të nxisë shumë hamendje. Se a ka vendosur kjo parti që ta pranojë në heshtje dhe pa zhurmë autonominë territoriale të komuniteti serb në Kosovë, nga bindja se nuk mund ta refuzojë atë për shkak  të detyrimit për ta ruajtur koordinimin me ndërkombëtarët? Apo gjatë ditëve në vijim do t’i kthehet metodës së LDK-së për ta kritikuar ditë e natë Kryeministrin Kurti për dëmet e prodhuara në procesin e dialogut, veçanërisht me Marrëveshjen bazë të Brukselit, atë të zbatimit të Ohrit si dhe draft-statutin aktual të Asociacionit për efekte të brendshme elektorale, por në fund  duke mos ofruar asnjë siguri se do ta refuzojë atë me arsyetimin se tashmë këto marrëveshje janë obligim ndërkombëtar i shtetit të Kosovës dhe nuk ka shpëtim nga to.

Sidoqoftë, megjithë nuancat, të dy metodat në esencë nuk dallojnë nga njëra tjetra. Ato nuk ofrojnë asnjë shtegdalje nga rreziku i desovranizimit të shtetit të Kosovës nëpërmjet këtij entiteti. Dhe janë brenda logjikës politike të Kryeministrit Kurti, duke i bekuar në fund rezultatet e procesit të dialogut të drejtuara nga ai, si të domosdoshme të nevojshme dhe të pa alternativë për Kosovën. Është ky një model bizar i motërzimit të mendësisë së determinizmit politik me retoriken e zbrazët të demokracisë.

/TV Malisheva

Share.