Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës. Tahiri në një konferencë për media përmendi koston e jetesës, rezultatin e testit PISA, qasjen ndaj sindikatave dhe politikën e jashtme.

Ai tha se dikush që ka rrogë 600 euro nuk ka mundësi me përfundu muajin, për shkak se të dhënat e analizës që ne kemi bërë tregon se 80% e njerëzve që kanë pagë mbi 600 euro janë me kredi të ndryshme.

“Inflacioni, rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja e secilit artikull ushqimor është duke cenuar standardin e jetës dhe të ekonomive familjare dhe ndikon në rritjen e kostos së secilit prodhim. Parat që janë të dedikuara për subvencione, janë para elektorale që zgjedhin një problem të shkurtë dhe nuk janë investime”, tha Tahiri në një konferencë për media.

Ndërkaq, rezultatin në PISA, Tahiri e quajti skandal në vete.

“Kjo qeveri flet për 20 vjeçarin. Në këto 20 vjet më shumë ka udhëhequr qeveria e LVV-së sesa Aleanca dhe ende flet për këto vite”, tha Tahiri, duke shtuar se kjo qeveri 99% ka pasur teori dhe 1% praktikë.

“Kjo ministre duhet të dalë dhe të japë llogari se çfarë ka bërë në arsim”, tha ai.

Problemi i tretë, sipas tij lidhet me arrogancën ndaj shtresave vitale të shoqërisë.

“Injorimi dhe ofendimi që i bëhet secilës sindikatë që e kërkon të drejtën e vet. Kjo qeveri arriti që ta qes në rrugë edhe kategorinë më të nderume atë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës”, tha Tahiri.

Ai ka shtuar se është e turpshme me dalë me thanë 2200 euro e ka rrogën një polic, kur dihet se asnjëherë nuk iu është rritur rroga.

“Duhet me urgjencë që në këtë buxhet të adresohen amendamentet e AAK-së që kanë të bëjnë me rritjen e koeficientit dhe me sigurimet shëndetësore”, u shpreh Tahiri.

Tutje, ai tha se problemi i katërt ka të bëjë me politikën e jashtme të Kosovës.

“Diagnoza e politikës së jashtme të Kosovës sot është shumë e thjeshtë, tri vite asnjë njohje, asnjë anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare, të sanksionuar nga BE-ja rroftë Gani Jakupi atij po i del rroga 7 mijë e 500 euro”, tha Tahiri.

/TV Malisheva

Share.