Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj i ka reaguar zëdhënësit të qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i cili sot tha se Pacolli duhet të kërkojë falje për deklaratat e tij që i ka bërë mbrëmë. Fjalët e Kryeziut, këshilltari i Pacollit i ka kuptuar si kërkim-falje në emër të partisë në pushtet, për siç ka thënë ai, tejkalim të kufijve.

Duke kujtuar deklaratat e Pacollit, se është ndjerë i frikësuar të vijë në Kosovë, Zyberaj ka thënë se është në natyrën njerëzore që dikush i gjendur para një dhune verbale nga njerëzit e pushtetit dhe, siç ka shkruar ai, falangat fashiste që i bëjnë jehonë atyre, të frikësohet për fatin e familjes, sidomos kur vjen nga një izolim dy mujor.

“Në shumë kuptime, deklarimi i zotit Kryeziu është kërkesë falje ndaj zotit Pacolli. Shefi i tij apo zotëri Svecla edhe pasi e mësuan lokacionin e zotëri Pacollit, pasi dolën bllof me deklarimet e mëparshme të tyre, thjesht po kërkojnë me gojën e zotëri Kryeziut diqka që zoti Pacolli kurrë nuk e ka kontestuar. Kurrë ai nuk ka thënë se kërkon trajtim të mëvetshëm, apo shkelje të rregullave (jo ligjore megjithatë) në lidhje me karantinën”, thuhet në shkrimin e tij.

Zyberaj ka thënë se Kryeziu sot ka kërkuar ndjesë në emër të partisë në pushtet.

“Deklarimi i zotit Kryeziu në lidhje me kufijtë e veprimit dhe deklarimit opozitar sot është një kërkesë ndjese në emër të partisë në pushtet, në emër të shefit të tij, për tejkalimin e këtyre kufijve në të shkuarën jo shumë të largët. Këto kufij ishin të tmerrshëm dhe zoti Kryeziu nuk e ka fjalën për to me siguri kur i jep këshilla zotit Pacolli: në sallën e parlamentit në prani të grave shtatzëna, të sëmurëve kronikë, përdorej gaz lotsjellës; kur ndaj institucioneve apo dhe ndaj shtëpisë së kryeministrit të kohës qëllohej me bomba molotov. Sigurisht zotëri Pacolli nuk ka kurrë ndërmend të ndjekë këshilla të tilla”, thuhet në reagimin e Zyberajt.

Tutje, ai shkruan se, i vetëdijshëm pse deklarimet e tij mund të cenojnë imazhin e shtetit të Kosovës, Behgjet Pacolli mund të tërheqë atë çfarë tha.

“Mirpo a do ta bejnë këte me parë, Kryeministri dhe ud i Ministrit te Punëve të Brendshme?”, ka pyetur Zyberaj./ Tv Malisheva

Share.