Dëmet e shkaktuara në bujqësi kapin vlerën miliona euro si pasojë e pandemisë Covid-19, derisa me Pakon Emergjente Fiskale nga Qeveria, janë paraparë të ndahen 3 milionë euro për bujqësi, përveç që po konsiderohet e pa mjaftueshme kjo shumë për bujqit që kanë pësuar nga koronaviruesi, ende nuk ka filluar të ndahet për mbështetje të fermerëve.

Kryetarit i Federatës Sindikale të Bujqësisë, Tahir Tahiri po thotë se dëmet në bujqësi janë të konsiderueshme, derisa ka adresuar kritika te komunat dhe Ministria e Bujqësisë, që nuk janë duke i mbështetur fermerët të cilët janë prekur indirekt nga koronavirusi.

Tahiri i cili pretendon se humbjet në bujqësi kapin vlerën miliona euro, thotë për KosovaPress, se me qindra tonelata patate, fidanë dhe produkte të tjera bujqësore kanë mbetur pa u shitë nga fermerët kultivues.

Tahiri: Dëmet në bujqësi nuk është duke i mbështetur Ministria e Bujqësisë

“Konsideroj se janë dëme të mëdha që duhen edhe mjete për t’i kompensuar ato. Ne nuk shpresojmë dhe nuk po shohim asnjë gjasë që të kompensohen 100 përqind, bile humbjet minimale përkatësisht humbjet direkt në investimet që i kanë bërë në ato kultura bujqësore shteti me ua kompensua… Ministria e Bujqësisë i ka pasur tre milionë euro në dispozicion për shfrytëzimin e tyre. Ne si sindikatë kemi dhënë qëndrimin tonë, ku kemi thënë që ato tre milionë t’iu jepen direkt prodhuesve bujqësor, të cilëve u kanë mbetur produktet pa shitë për shkak të pandemisë. Kjo kishte me u bërë duke aplikuar nëpër komuna, dhe këto komuna me formuar komisionet për të verifikuar dëmet dhe kjo punë kishte me u bërë për një kohë brenda një jave. Ndërsa me sa kam informacione unë, komunat askund nuk e kanë bërë një veprim të tillë. Nuk kemi informacione se në çfarë forme janë të orientuar me i ndarë ato para. Unë nuk kam informacione s’e ka përfituar dikush prej atyre parave”, thotë Tahiri.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi thotë për KosovaPress, se sa i përket bujqësisë, kryetarët e komunave kanë ngritur zërin pothuajse qe më shumë se një muaj, dhe të gjitha këto shqetësime të bujqve janë proceduar tek niveli qendror.

Ibrahimi po ashtu shprehet se komunat në këtë kohë po i subvencionojnë bujqit e dëmtuar si pasojë e pandemisë.

Edhe Ibrahimi po konsideron se dëmet në bujqësi janë në shuma të mëdha financiare.

Ibrahimi: Komunat po i subvencionojnë bujqit e dëmtuar si pasojë e pandemisë

“Sa i përket përkrahjes së bujqve lokal nga komunat, unë mund të konstatoj se shumica e komunave janë në këtë fazë duke i subvencionuar bujqit lokal, sa i përket të mbjellave te tyre. Dhe besojmë që edhe nga niveli qendrorë një përkrahje e tillë do të ndodhë. Njëherë përnjëherë si asociacion nuk kemi informata se sa është përkrahja nga niveli qendror në këtë aspekt. Mirëpo, ne kemi informata nga niveli lokal që komunat janë duke i subvencionuar bujqit lokal. Shpresojmë që sa i përket të mirave që bujqit e Republikës së Kosovës I kanë këtë vit, për produktet e tyre do të gjendet një zgjidhje, sepse ata do të kenë një humbje jashtëzakonisht të madhe financiare”, deklaron Ibrahimi.

Ai në fund ka thënë se në takimin e fundit që kanë pasur me ministrin e Shëndetësisë dhe atij të të Pushtetit Lokal, një ndër propozimet kryesore nga kryetarët e komunave ka qenë edhe hapja e tregjeve për plasmini e produkteve.

Kurse, drejtues të Ministrisë së Bujqësisë nuk janë prononcuar për KosovaPress për dëmet dhe mbështetjen e bujqve në këtë kohë pandemie./Tv Malisheva

Share.