Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar de sot është mbajtur mbledhja e qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari i kësaj partie Albin Kurti.
Kurti përveç që ka folur për të arritura gjatë kësaj periudhe ka folur edhe për zhvillimet politike, duke theksuar se qeverinë e re që po pretendohet nga Avdullah Hoti nuk e mbështet as PDK-ja e as kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani.
Postimi i plotë:
Sot u mbajt mbledhja me qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në të cilën morën pjesë kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, njëherit edhe kryeministër, sekretarja organizative, znj. Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i qendrave, z. Valon Hoti.
Kryeministri Kurti nga zyret e Lëvizjes foli mbi prioritetin e punës së tij gjatë kësaj kohe, që është ai i menaxhimit me pandeminë COVID-19. Masat e reja të ndërmarra kanë pasur efektin e tyre çka ka ndikuar në uljen e trendit të të infektuarve e rritjen e numrit të të shëruarve. Me masat e qeverisë e këshillat e profesionistëve shëndetësor, por edhe me më të rëndësishmen displinën e bashkëpunimin qytetar shumë shpejt do ta mposhtim virusin.
Në mbledhje u theksuan edhe punët të tjera duke filluar nga çlirimi i bordeve e menaxhmenteve të ndërmarrjeve publike deri te denoncimi i gjetjeve të shumta që kanë ngulfatur këto ndërmarrje nga njerëz të pushtetit të vjetër.
Duke folur mbi zhvillimet e fundit, sa i përket përpjekjeve antikushtetuese, jolegjitime dhe ilegale të Klubit të Stërvjetëruar Politik, kryeministri Kurti potencoi:
“Pas LVV, tash edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se qeverinë e re të synuar nga Presidenti nuk e përkrah as Kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë. Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje, sepse tubimin e madh përmbyllës do ta mbanim të premten me 12 qershor, pra duke e festuar njëkohësisht 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”.
Pas pikës politike, mbledhja vazhdoi me çështjet organizative dhe formën se si do të kryej veprimin e saj organizata jonë në këtë kohë pandemie. Zyret tona janë hapur sërish, puna dhe aktivitetet intensifikohen./ Tv Malisheva