Malishevë, 16 shtator
Në kuadër të dëgjimeve për hartimin buxhetit komunal për vitin 2020, që është duke i mbajtur Kuvendi i Komunës së Malishevës, mbrëmë janë mbajtur dëgjimet në fshatrat Tërpezë dhe Lladrovc. Pjesëmarrësit në këto dëgjime, janë njoftuar me buxhetin për vitin 2020, si dhe i kanë parashtruar kërkesat e tyre për investime në vitin e ardhshëm.
Sikur edhe në vendbanimet tjera edhe në këto dy fshatra, u kërkua që të investohet në infrastrukturë, përkatësisht në rrugë, kanalizime dhe ujësjellës, por edhe në çështje tjera me rëndësi për fshatrat e tyre.
Krahas kërkesave të zakonshme në infrastrukturë, në Tërpezë kërkuan edhe renovimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, të Shtëpisë së Kulturës, lirimin e pronave publike brenda fshatit, si dhe mbrojtje më të madhe të pyjeve të cilat çdo ditë e më shumë po dëmtohen.
Po ashtu edhe në Lladrovc, krahas kërkesave për rregullimin e infrastrukturës, kërkuan që të rregullohet një rrugë këmbësore, për nxënësit e lagjes Tanashec, të cilëve do t’iu shkurtohet rruga për në shkollë, pasi aktualisht i bëjnë më shumë se dy kilometra rrugë, pasi për shkak të konfiguracionit të terrenit, rruga është e gjatë për në shkollë.

Share.