Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhjen e thellë për vdekjen tragjike të 26-vjeçarit nga Gjilani sot në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, dhe u shpreh familjes së të ndjerit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e familjarit të tyre.
Në një deklaratë për media thuhet se sot në ora 17:16 ekipi menaxhues i Karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë është njoftuar nga një zyrtar i Policisë së Kosovës në Qendrën e Studentëve se një person është gjetur në oborrin e Konviktit numër shtatë, me dyshim se ka rënë nga kati i katërt.
Menjëherë personeli mjekësor i Karantinës së Qendrës së Studentëve ka shkuar në vendngjarje dhe i ka dhënë personit në fjalë ndihmën e parë si dhe e ka njoftuar emergjencën.
Në vendin e ngjarjes personi është reanimuar nga ekipi mjekësor i Karantinës deri në arritjen e autoambulancës me ekipin mjekësor, të cilët, gjithashtu, kanë vazhduar me reanimim edhe gjatë transportimit të tij për në Klinikën Emergjente të QKUK-së.
Personi ka vazhduar të reanimohet edhe në Klinikën Emergjente nga ekipet kujdestare, të cilët e kanë vazhduar kujdesin e avancuar.
Për fat të keq, me gjithë përpjekjet e mjekëve në Klinikën e Emergjencës, personi nuk ka mbijetuar.
Organet e hetuesisë janë duke u marrë me sqarimin e rrethanave të vdekjes/TVMalisheva