Emri i Vedat Muriqit vazhdon të lidhet me shumë klube të njohura evropiane.
Sulmuesi nga Kosova ka shkëlqyer me fanellën e Fenerbahces duke zgjuar interesimin e disa skuadrave me emër në Evropë, si Lazio, Napoli, Tottenham, Leicester City apo Eintracht Frankfurt.
Duket se e ardhmja e kosovarit do të jetë në elitën e futbollit italian Serie A, pasi edhe agjenti i tij ditë më parë deklaroi një gjë të tillë.
“Muriqit do t’i pëlqente të luante në Serie A, pasi Italia është afër Shqipërisë dhe futbolli italian i përshtatet atij”, kishte deklaruar ditë më parë agjenti i lojtarit.
Trajneri i Lazios, Simone Inzaghi e ka bërë prioritet transferimin e Muriqit në verë.
Corriere dello Sport ka raportuar se Inzaghi ka biseduar me drejtorin sportiv Igli Tare dhe i ka kërkuar transferimin e Muriqit gjatë afatit kalimtar veror.
Muriqi shihet nga trajneri i Lazios, Simone Inzaghi si partneri perfekt për Ciro Immobilen në repartin e sulmit.
Lazio tani është duke shikuar mundësinë e transferimit të kosovarit, teksa po përgatitë një ofertë prej 15 milionë euro për prizrenasin.
26-vjeçari ka shkëlqyer me fanellën e gjigantit turk këtë edicion, duke shënuar 15 gola dhe duke bërë gjashtë asistime në 28 takime.
Kujtojmë se Lazio në edicionin e ardhshëm mund të luaj në grupet e Ligës së Kampionëve, pasi skuadra kryeqytetase ndodhet momentalisht në pozitën e dytë në Serie A dhe po lufton për titullin e kampionit. /Tv Malisheva