Përplasja finale, e cila mund të sjellë “paqen” dhe akordin mes qeverisë dhe strukturave të futbollit, apo akoma më keq stopimin përfundimtar të këtij sezoni të Serisë A, do të vijë më datë 8 maj, të premten, në mesditë, kur është parashikuar videokonferenca e cila do të zgjidhë të gjitha dyshimet.
Liga Italiane do të duhet ta bindë Ministrinë e Sporteve, ndërkohë që Komiteti Olimpik Italian (CONI) dhe Federata Italiane e Futbollit do të jenë arbitri, ndonëse anojnë nga Liga, për të nisur dhe për të dërguar deri në fund sezonin e ndërprerë.
Fatura ekonomike e humbjeve prej 720-730 milionë eurosh nuk mbyllet dot as nga qeveria, por kjo temë, ashtu sikurse ajo e licencimeve të klubeve, zgjatjes së skadencës së kontratave dhe të tjera tema pikante, do t’u jepet një përgjigje konkrete të premten e 8 majit, duke rikujtuar se në rast rifillimi, programi i detajuar duhet të paraqitet më 25 maj në UEFA, 48 orë përpara mbledhjes zyrtare të qeverisë së futbollit europian.
PLANI I SERISË A – Ndërkohë, “Corriere dello Sport” ka zbuluar planin që Liga e Serisë A do t’i paraqesë Ministrisë së Shëndetësisë për stilimin e kalendarëve dhe rinisjen e kampionatit. Dy datat preferenciale të klubeve për të luajtur në fushë janë 13 ose 20 qershori ose një datë e tretë është 27 qershori, me ndeshjet që do të zhvilloheshin çdo 72 orë.
Një tur force i vërtetë ky, në mënyrë që gjithçka të mbyllet brenda datës 2 gusht dhe t’u lejojë klubeve që janë pjesë e tyre të përfundojnë edhe aventurën europiane. Madje, Liga është gati që sivjet të anulojë edhe Kupën e Italisë, e cila ka parë të zhvillohen edhe gjysmëfinalet e vajtjes, Inter-Napoli 0- 1 dhe Milan-Juventus 1-1 dhe të mos e japë këtë trofe, duke parë ngjeshjen e kalendarit.