Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, me rastin e datëlindjes, ka përkujtuar heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.

Veseli e ka quajtur Skënderbeun si simbol kryesor i kombit tonë.

Ky është postimi i plotë i Veselit në FCB:

615 vjet më parë ka lindur heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili është një ndër simbolet kryesore të kombit tonë. Gjergj Kastrioti realizoi gjithashtu bashkimin e parë të shqiptarëve në Besëlidhjen e Lezhës, duke vendosur gurin e themelit të përpjekjeve shqiptare për liri e për shtet të pavarur. Edhe pse ka kaluar më shumë se një gjysmë mijëvjeçar, kujtimi për të vazhdon të jetë i gjallë dhe burim frymëzimi për kombin tonë e prandaj ende vazhdojnë t’ua vendosin djemve emrin Kastriot. Me këtë rast uroj të gjithë Kastriotët për emrin e denjë që mbajnë.

Jo vetëm ndër shqiptarë, por për shekuj me radhë edhe në mbarë Evropën, figura e Skënderbeu është admiruar si simbol i lirisë, si imazhi i një heroi të mirëfilltë që gjithmonë ndodhej vetë në vijën e parë të luftës e që kurrë nuk hezikonte të rrezikonte e sakrifikonte për idealet, atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij. Skënderbeu ka qenë burim frymëzimi edhe për luftën tonë çlirimtare pasi ai ka dëshmuar se kur bën një luftë të drejtë e të ndershme, mund t’ia dalësh ta mposhtësh një fuqi shumë të madhe, pavarësisht se lufton me forca e mjete ushtarake shumë më të pakta.

Heroi ynë kombëtar ka lindur në ditën e Shën Gjergjit, prandaj edhe prindërit i kanë vënë këtë emër. Dita e Shën Gjergjit festohet nga shumë bashkëkombas tanë si festë fetare por edhe në disa zona të Kosovës si festë që simbolizon përfundimin e dimrit dhe i ardhjes së stinës së verës. Prandaj edhe ia uroj gëzuar ditën e Shëngjergjit çdo shqiptari që e kremton!/ Tv Malisheva

Share.