Dikur e quante flamuri ‘lara-lara’, por në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër ka ndryshuar mendim. Ka vendosur ta respektojë. Madje, paralajmëroi se do ta mbante në zyrën e tij, në rast se zgjidhej kryeministër
Por, flamurin e Shtetit të Kosovës, Albin Kurti dhe aktivistët e partisë së tij në përgjithësi, nuk është se e kanë pranuar e respektuar, nga viti 2008 kur është shpallur pavarësia e shtetit, e deri para pak javësh kur u shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Mos respekti dhe kundërshtia ndaj flamurit të Kosovës për disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kishte shkuar deri në urrejtje ndaj simbolit kryesor që identifikon shtetin.
Kjo ishte reflektuar qartë në Gjakovë, nga disa aktivistë të VV-së, që në vitin 2012, një natë para se të festohej përvjetori i pavarësisë së Kosovës, flamuri i shtetit ishte djegur nga disa aktivistë, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
E këtë moment e kishin manifestuar edhe me fotografi, të cilën më pas nuk kishin hezituar ta shpërndanin nëpër rrjete sociale. Gjithçka kishte ndodhur në qendër të qytetit.
E një nga aktivistët e partisë së Albin Kurtit që shihet në fotografi është edhe Mimoza Shala, që shtatë vite pas momentit kur u shkrepë fotoja, sot garon për deputete të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Shala është aktiviste e kamotshme e partisë së Kurtit në Gjakovë. Përveç angazhimit të saj politik, në vendlindjen e saj njihet edhe si ish-ushtare e UÇK-së.
Telash me flamurin e Kosovës dhe simbolet tjera Kurti dhe partia e tij kanë pasur vazhdimisht. Ai dhe zyrtarët e tij të partisë, në të kaluarën, vazhdimisht i bojkotonin simbolet e shtetit.
Përveç se nuk ngiteshin në këmbë për të respektuar himnin e Kosovës, kur intonohej nëpër ceremoni të ndryshme, mos respektimi i simboleve të shtetit ishte manifestuar edhe me përqeshje të flamurit nga kreu i lëvizjes Albin Kurti.
Ai gjatë një proteste të organizuar në Prishtinë, në nëntor të 2015-ës e quante flamurin e Kosovës flamur “lara-lara”.