Skuadra e Llapit ditën e djeshme i ka filluar stërvitjet për tu përgatitur për rifillimin e kampionatit, që pritet të rinisë në muajin qershor.
Por, jo gjithçka shkoi mirë për klubin e Tahir Batatinës, pasi siç merr vesh “inFokus”, klubi llapjan gjatë stërvitjeve është vizituar nga Policia e Kosovës.
Policia ka shkuar në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë për ta parë nga afër mënyrën se si po stërvitin llapjanët, kur dihet se Ministria e Shëndetësisë akoma nuk e ka dhënë dritën jeshile për rifillimin e stërvitjeve në grup.
Në një intervistë për “inFokus”, trajneri i Llapit, Tahir Batatina e ka pohuar lajmin duke thënë se policia ka kërkuar që mos të grumbullohen me shumë se tre veta.
“Policia kanë kërkuar mos me u grumbullu më shumë se tre lojtarë dhe unë kam punuar më nga dy futbollist në seanca stërvitore, sepse nuk kemi të drejtë më bë grumbullim”, tha fillimisht Batatina.
Tekniku llapjan ka kontaktuar me policinë dhe kanë renë dakord që të stërvitin nga tre persona.
“Unë kanë kontaktuar me policinë dhe kemi rënë dakord që deri në një vendim nga organet kompetente të stërvitim më nga 3 persona në grup”, deklaroi ai.
Batatina për fund shtoi se edhe Ministria e ka lejuar me vrapu nga dy persona dhe ashtu po veprojnë edhe futbollistët e Llapit.
“Edhe Ministria e ka leju që nga dy persona mundën me vrapu, edhe unë ashtu kam vepru, kemi stërvitë në orare të ndryshme dhe në gupe me nga dy lojtarë”, përfundoj Tahir Batatina.