Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, me ftesë të presidentit Donald Tusk, mori sot pjesë në video-konferencën e Samitit të Zagrebit të Partive Popullore Evropiane (EPP) për Ballkanin Perëndimor.
Ai ka thënë se Samiti i EPP-së reflektoi një përkushtim konkret të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm në betejën për të mposhtur COVID-19, por edhe për zhvillimin dhe demokratizimin e mëtejmë si pjesë të demokracisë evropiane.
“Fuqizimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i të drejtave të njeriut ishin dhe mbeten preokupim i EPP-së. LDK i ka përcaktuar qartë orientimet e saj për një Kosovë pro-evropiane, pa asnjë dilemë dhe pa asnjë alternativë, dhe zhvillimin e miqësisë së përhershme me SHBA”, ka shkruar Mustafa në një status në Facebook.
Duke falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen që ka ofruar dhe premtuar për të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën, në këtë kohë të vështirë, kryetari i LDK-së nga partnerët evropianë kërkoi mbështetje të drejtpërdrejtë të sektorit privat të bizneseve, për të evituar rrezikun nga papunësia.
“Shpreha interesimin dhe përkushtimin e vendit tim për kultivimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet fqinje dhe faktin se përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke do të ndihmonte stabilitetin jo vetëm në rajon, por edhe me gjerë”, ka thënë Mustafa.
Për më tepër, kreu i LDK-së ka bërë të ditur se ka shprehur pritjet e arsyeshme të qytetarëve të Kosovës për liberalizim të vizave, pasi që tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.
Ai ka thënë se Kosovës i nevojitet një qeveri e cila siguron partneritet me vendet e Bashkimit Evropian dhe ndihmon përafrimin më të shpejtë të vendit me BE-në dhe ndihmon në sqarimin e dilemave që kanë disa prej këtyre vendeve sa i përket qasjes ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj./ Tv Malisheva