Sot mbushen gjashtë vjet nga vetë-rrëzimi i qeverisjes PDK-AKR, si dhe vetë-shpërndarja e Kuvendit të Kosovës.

Koalicioni PDK-AKR ishte prishur me iniciativën e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, por jo edhe me pëlqimin e kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli. Këta të dy, bashkë me liderin e LDK-së opozitare Isa Mustafa vendosën të shpërndahet edhe Kuvendi, pas takimeve me presidenten e atëhershme Atifete Jahjaga.

Me 90 vota për 4 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës mori vendim më 7 maj 2014 që të shpërndajë vetveten.

Me këtë vendim, Kuvendi vendosi që të çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën më 8 qershor 2014.

Mocioni është ngritur nga një grup prej 57 deputetëve në bazë të marrëveshjes ndërmjet liderëve të PDK-së dhe LDK-së për shpërndarjen e Kuvendit.

Arsyetimin e kishte prezantuar deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami i cili kishte thënë se me këtë vendim, Kuvendi hap procedurat ligjore për shpalljen e datës së zgjedhjeve.

Nisma e deputetëve është mbështetur më pas edhe nga grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, përderisa ata të AAK-së kanë prezantuar qëndrime të ndryshme.

Në fjalimin e tij të fundit para kësaj legjislature, kryeministri Thaçi e ka arsyetuar vendimin për të shkuar në zgjedhje, duke thënë se muajt dhe javët e fundit kanë dëshmuar edhe për jo funksionalitet të institucioneve.

Thaçi ka rikujtuar sidomos dështimin e Kuvendit që të themelojë Forcat e Armatosura të Kosovës.

Kurse, deputetet e Kuvendit të Kosovës bënin fotografinë e fundit./ Tv Malisheva

Share.