Presidenti Ilir Meta priti sot në takim Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili e njohu me protokollin sanitar të përgatitur nga ekipi mjekësor i FSHF-së, sipas udhëzimeve të UEFA-s, për rifillimin e aktiviteteve futbollistike sa më parë të jetë e mundur.
Presidenti ka besimin se me përpjekje dhe mirëkuptim, ashtu si edhe në shumë vende të tjera, edhe ne t’i rikthehemi në kushtet e reja dhe me protokollin e duhur sanitar, jetës futbollistike, por edhe sportive në vend.
“Nuk ka vaksinë më të mirë për mbrojtjen e shëndetit se sa sporti”, thekson Meta.
Ashtu si në të gjitha kampionatet në Europë edhe në Shqipëri kampionati i futbollit është pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar një letër të drejtuar qeverisë, ku i kërkon rifillimin e kampionatit futbollistik.
FSHF në letrën e dërguar qeverisë shqiptare, kërkon të krijohet një grup punë i përbashkët, për implementimin e protokollit të nisur më parë.
Në letrën e dërguar thuhet se protokolli është përgatitur pas konsultimeve me ekspertë të FIFA-s, UEFA-s dhe disa federatave homologe, si dhe me stafin mjekësor të ekipit kombëtar.
Gjithashtu kanë shprehur edhe njëherë gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe për të zbatuar me rigorozitet udhëzimet e ekspertëve./ Tv Malisheva