Oda Ekonomike Amerikane ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me përplasjet politike në Kosovë, në kohën kur vendi po përballet me pandeminë me koronavirus.
Në një deklaratë për media, Oda Ekonomike Amerikane kërkon nga lidershipi kosovar të demonstrojë stabilitet për të avancuar agjendën zhvillimore dhe për të menaxhuar situatën e krijuar pas shpërthimit të pandemisë.
Oda Amerikane beson që në kohën kur është e nevojshme rritja e angazhimit të gjithëmbarshëm për fuqizimin e shtetit të Kosovës, akterët politikë e shoqërorë duhet të tregojnë maturi dhe koordinim, pasi që stabiliteti politik është kyç për nxitjen e investimeve të brendshme dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Me këtë rast iu bëhet thirrje liderëve institucionalë e politikë të Kosovës të përmbahen nga gjuha e përçarjes dhe nxitjeve për dhunë, duke përkujtuar se aktet e tilla jo vetëm që do të kthenin vendin mbrapa, por edhe do të kërkonin investim dhe përpjekje të reja për përmirësimin e perceptimit para investitorëve të huaj.
Oda Ekonomike Amerikane beson që institucionet vendore duhet të angazhohen për arritjen e një stabiliteti të përgjithshëm në kontekst të brendshëm, por edhe në raport me shtetet fqinje, si parakusht për integrimin ekonomik rajonal dhe avancimin e procesit integrues euro-atlantik./ Tv Malisheva