Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk i është ankuar askujt për ambasadorin Richard Grenell, veçse i ka shprehur qëndrimet e tij si kryeministër në detyrë për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. I pyetur rreth letrës që i ka dërguar zëvendës-presidentit amerikan të shtetit, Mike Pence, Kurti tha se përmes asaj letre ka shprehur qëndrimet e tij meqë ka parë që po bëhen keqinformime për të dhe qeverinë që ai drejton.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se ka shumë aktorë që keqinformojnë për të si politikan, dhe sipas tij, ndonjëherë ja imazh të deformuar të qëndrimeve të kësaj qeverie.

Kurti: Nuk i jam ankuar askujt për ambasadorin Grenell

“Kam shprehur edhe qëndrimet tona, si qeveri e Republikës së Kosovës, të mijat si kryeministër në detyrë për çështje të ndryshme politike përfshirë këtu edhe dialogun me Serbinë. Nuk i jam ankuar askujt për ambasadorin Grenell, por kam shprehur pikëpamjet e mija mbi këtë dialog, se si duhet të jetë parimor, i përgatitur mirë. Dhe në veçanti po e theksoj që për shkak se ka shumë keqinformim për qeverinë tonë dhe për mua jo vetëm si kryeministër por edhe si politikan në përgjithësi, se çka bëj e çka them, i kam shprehur qëndrimet e mija që mos të ketë keqkuptime”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se ka shumë aktorë që keqinformojnë për të andaj vetëm e ka sqaruar pozicionin e qeverisë që ai drejton.

Këto deklarata Kurti ka bërë sot pasi ka dalë nga transfuzioni i gjakut, dhe është pyetur nga gazetarët rreth letrës që i ka dërguar zëvendës-presidentit, ku i ka shprehur shqetësimet e tij, për siç ka thënë ai, planet e presidentit të Kosovës për shkëmbim territorial.

Kurti: Nuk e kam në interes të mendoj a janë të duhur emisarët e superfuqive

“Unë ditë e natë mendoj për Kosovën, mendoj për situatën ep andemisë, dhe as nuk e kam kohën, as dëshirën, as interesin, as mundësinë që tani të mendoj se sa janë të duhur emisarët e superfuqive, mos na ngarkoni edhe këtë barrë sepse kam mjaftueshëm punë të mëdha të bëj”, tha Kurti.

Kurti ka shtuar se i vjen keq që qeveria e drejtuar nga ai nuk e ka pasur mundësinë të funksionojë në mënyrë normale, dhe siç tha ai, të ndryshojë imazhin e Kosovës sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit./ Tv Malisheva

Share.