Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, sot ka dorëzuar komentet në Gjykatën Kushtetuese përkitazi me meritat e kërkesës së pretendimeve të parashtruesve të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, dt. 30.04.2020, me të cilin Dekret, sipas propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti i është propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e re.
Presidenti i Republikës së Kosovës e ka nxjerrë këtë Dekret pas konsultimit me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe pajtimit të shumicës absolute të tyre për të formuar Qeveri të re.
Si përfaqësues i unitetit të popullit dhe garantues i funksionimit demokratik dhe kushtetues të institucioneve, Presidenti përmes nxjerrjes së Dekretit nr. 24/2020 ka vepruar në kuadër të kompetencave të tij të përcaktuara me Kushtetutë dhe sipas standardeve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO103/14./ Tv Malisheva