Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka dhe këshilltari politik Jeton Zulfaj, mbajti një video-takim me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Sipas kumtesës qeveritare, biseda u zhvillua në pritje të shënimit të ditës së Evropës më 09, Maj me ç’rast, kryeministri ka uruar Ambasadoren Apostolova duke rikujtuar se BE-ja është një projekt i fitores ndaj fashizmit. Më 09 maj, Deklarata e Shcuman shënon 70 vite të paqes, progresit shoqëror e njerëzor dhe bashkëpunimit nder shtetëror, duke e bërë Bashkimin Evropian një ndër projektet më të suksesshme të Evropës.
Duke shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës në kryerjen e reformave të rëndësishme për anëtarësim në BE, kryeministri ka folur edhe për situatën në të cilën ndodhemi. Ai theksoi se kriza shëndetësore me COVID-19 është menaxhuar mirë duke dëshmuar se kërkesa për gjendje të jashtëzakonshme ishte e paarsyeshme dhe ka treguar se si po hapet gradualisht ekonomia duke shtuar masat mbrojtëse.
Ministri në detyrë Reka shtoi se për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në BE mbetet orientim strategjik, dhe se këtë e kërkojnë qytetarët tanë të cilët Kosovën e shohin si pjesë të BE-së dhe që besojnë në idenë evropiane. Duke shpresuar në një vendim të shpejtë për liberalizimin e vizave, ministri në detyrë Reka uroi Ambasadoren Apostolova për Ditën e Evropës.
Kryeministri në detyrë Kurti e falënderoi BE-në për ndihmën që kanë ofruar në menaxhimin e pandemisë dhe zotimin për ndihmë në rimëkëmbje ekonomike si dhe për rolin konstruktiv që zyra e BE-së ka luajtur në këta muaj.
Ambasadorja Apostolova falënderoi kryeministrin për menaxhimin e pandemisë dhe ofroi ndihmën e BE-së në lidhje me planet dhe strategjinë për rimëkëmbjen ekonomike./ Tv Malisheva