Komuna e Malishevës, përmës një komunikate për media ka reaguar ndaj asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë, Alban Krasniqi lidhur me dezinsektimin e rriqrave.
Kjo është komunikata e plotë nga Komuna:
Sqarim:
Operatori që bën dezinsektimin në Malishevë, është i kontraktuar nga Ministria e Bujqësisë
Gjatë ditës së djeshme, (e enjte 07.05.2020) në një intervistë të realizuar nga Televizioni Malisheva, me asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje në KK të Malishevës, z.Alban Krasniqin, në minutën e 15 dhe 16 të intervistës, është thënë se ka filluar të bëhet dezinsektimi, por që ende nuk është nënshkruar kontrata me operatorin.
Për sqarimin e drejtë të opinionit dhe të gjithë të tjerëve, operatori që është duke bërë dezinsektimin, është i kontraktuar nga Ministria e Bujqësisë dhe jo nga Komuna e Malishevës dhe për të tretin vit me radhë është duke bërë dezinsektimin.
Pjesa e dezinsektimit të cilën e bën komuna, kontrata ende nuk është finalizuar.
Për korrektësi të lajmit të dhënë nga komuna, për fillimin e dezinsektimit, po ju përcjellim paragrafin e parë të lajmit, ndërsa lajmin e plotë e gjeni në ueb faqen e komunës.
Filloi dezinsektimit i zonave endemike në Malishevë
2020/05/07 – 10:16
Malishevë, 7 maj
Në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), sot në territorin e Komunës së Malishevës, ka filluar fushata e dezinsektimit të zonave endemike, kundër rriqrave, të cilët janë bartës të virusit të EHKK. Dezinsektimi i zonave endemike, bëhet në bashkërendim të aktiviteteve në mes të Komunës së Malishevës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike e ministrive përgjegjëse, ndërsa financohet nga Ministria e Bujqësisë./ Tv Malisheva