Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka kujtuar njërën nga betejat më të ashpra ndërmjet forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pushtuesve serbë në Grykën e Llapushnikut, duke thënë se përmasat e luftimeve frontale të Llapushnikut, bënë jehonë në gjithë Evropën dhe rritën besimin e popullatës në forcën e UÇK-së duke masivizuar mobilizimin.
Veseli ka shkruar në Facebook se në të njëjtën periudhë një vit më pas, ndodhi “Epopeja e Çabratit” ku forcat heroike të UÇK-së bënë betejën e parë urbane të Luftës së Kosovës.
“Në të dy këto beteja të lavdishme, dhanë jetën për liri dhjetëra luftëtarë e martirë, si tregues që liria paguhet gjithmonë shtrenjtë. Ata na kanë lënë amanet atdheun, për ta mbrojtur e për ta mbajtur të paprekshëm. Na kanë lënë amanet Kosovën, që ta zhvillojmë e shndërrojmë në një vend të begatë”, ka shkruar ai./ Tv Malisheva