Në Itali nuk u arrit një marrëveshje në lidhje me ndalesën e pagave të lojtarëve, për muajt që nuk u luajt futboll, por disa klube arritën ta zgjidhin gjithçka vetë me futbollistët e tyre, duke kursyes jo pak në këtë kohë pandemie.

Pas Juventusit e Romës, e fundit që ka arritur një marrëveshje me futbollistët ka qenë skuadra e Cagliarit, ku Radja Nainggolan me shokë vendosën të heqin dorë nga paga e muajit prill në shenjë solidariteti me situatën e krijuar.

Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi sard, që nëpërmjet një komunikate me firmën e presidentit Giulini, falënderonte futbollistët për vendimin e marrë në formë solidariteti dhe evidentonte se kjo ishte një ndihmë e vyer për arkat e skuadrës.

“Klubi i Cagliarit, në emër edhe të presidentit Giulini, falënderon të gjithë futbollistët firmëtarë të nismës për të hequr dorë nga paga e muajit prill, në mënyrë që t’i kontribuojnë në mbrojtjen e skuadrës, nga situata e vështirë e krijuar prej gjendjes së pandemisë”, thuhej ndër të tjera në deklaratë.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm të gjithë futbollistët e Cagliarit u paraqitën në qendrën stërvitore të klubit dhe po kryejnë testet mjekësorë për të parë nëse janë të prekur nga koronavirusi apo jo.

Menjëherë më pas pritet që nën urdhrat e trajnerit Walter Zenga të nisin punën fillimisht në mënyrë të diferencuar dhe më pas në grup, për t’u përgatitur për fazën finale të sezonit 2019-2020./ Tv Malisheva

Share.