Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka diskutuar sot lidhur me menaxhimin e situatës se sigurisë në Kosovë gjatë pandemisë me COVID-19. Ky komision ka vendosur që të ftohet në raportim drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në mënyrë që të njoftohen për së afërmi me gjendjën e sigurisë në vend.
Kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Kollqaku, tha se në komision ka konstatuar se ka pasur një menaxhim të suksesshëm të pandemisë dhe se siguria në vend është në nivelin e duhur.
Kollqaku: Kemi pasur një menaxhim të suksesshëm të pandemisë
“Do ta ftojmë drejtorin e Policisë, mirëpo diçka tjetër nuk ka që do të jetë interes i juaji. Përveç asaj që unë si kryetare e komisionit konstatova që kemi pasur një menaxhim të suksesshëm të pandemisë, në fakt epidemisë me COVID-19 në Kosovë, si dhe kemi siguri në nivelin e duhur në vend dhe nuk kemi ndonjë shqetësim në këtë drejtim. Kemi pasur bashkëbisedim të hapur mes vete me vërejtje dhe sugjerime me propozime për takime të tjera të radhës dhe kjo është ajo që kam me deklaruar në këtë moment”, tha ajo.
Kollqaku tha se e ka pasur një takim me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku tha se është njoftuar rreth situatës së sigurisë.
E kritika për gjendjen e sigurisë në vend ka pasur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se ka defekte në zinxhirin e sigurisë në Kosovë, e që defektet sipas saj, janë shkaktuar nga institucionet qeveritare.
Musliu: Kemi defekte në zinxhirin e sigurisë në Kosovë
“Nuk mund të them tash të krijojë frikë dhe panik tek qytetarët sepse kur përmendet gjendja e sigurisë ju e dini shumë mirë ky vend nga pasojat që i ka pasur në vazhdimësi dhe si shoqëri që ende nuk e kemi kaluar mirë tranzicionin, mendja shkon diku tjetër. Por, nëse e shohim me një panoramë të përgjithshme kemi defekte në zinxhirin e sigurisë në Kosovë, defekte që shkaktohen direkt nga institucionet qeveritare. Jemi shumë të kënaqur me punën e Policisë së Kosovës, të cilët e kanë bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë këtyre ditëve, gatishmërinë e FSK-së të cilët kanë qenë në përgatitje maksimale, por megjithatë defektet që i keni raportuar edhe ju i kemi konstatuar edhe ne sot si ligjvënës dhe do të kërkojmë përgjegjësi dhe llogari për ato defekte që kanë ndodhur”, deklaroi ajo.
Deputetja Musliu ka treguar edhe arsyen se pse është ftuar në raportim drejtori i Policisë së Kosovës, derisa ka hedhur akuza se Policia e Kosovës është tentuar të keqpërdoret nga udhëheqësit aktual të institucioneve të sigurisë.
Musliu: Policia nuk ka kushte për punë
“Kemi pasur një lirim të lëvizjeve me fqiun tonë verior, kanë hyrë shumë në emër të humanitetit dhe të shëndetësisë kanë hyrë shumë persona të cilët thirren si mjekë, por ne ende nuk i dimë se a i ka verifikuar dikush dhe kush janë ata në të vërtetë. Kemi pasur pastaj lëvizje të maunëve të ndryshëm me provokime shumë të rënda të sigurisë, por kemi pasur edhe ngjarje të tjera. Kemi informacione që Policia e Kosovës në shumicën e rasteve është tentuar të keqpërdoret edhe nga vet udhëheqësit aktual të institucioneve të sigurisë, që bë këtë rast kemi ankesa të cilët nuk kanë kushte dhe nuk kanë mirëkuptim për kushtet që ata i kanë, nuk kanë pas dorëza të mjaftueshme Policia, nuk kanë pasur maska, nuk kanë pasur dezinfektues, janë obliguar të punojnë kah 12 orë në dite gjë që është normale në rrethana të tilla, por megjithatë kushtet kanë qenë zero”, tha ajo.
Musliu ka pasur kritika edhe për kryetaren e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Kollqaku, që sipas saj, në këtë mbledhje e ka luajtur rolin e qeverisë. Ajo tha se Kuvendi është i thirrur ta mbikëqyrë punën e qeverisë dhe jo t’ia fsheh të metat dhe problemet që i ka./Tv Malisheva