Federata e Futbollit të Kosovës është ende në pritje të përgjigjjes për lejen nga autoritetet për të nisur futbollin, teksa ende nuk ka ndonjë datë zyrtare.
Trajneri kosovar, Afrim Tovërlani, i cili e drejton Feronikelin, në një intervistë në Radio Prishtina, ka thënë se kjo pandemi nuk është aspak e lehtë për sportistët.
“Do të jetë shumë e vështirë, në fakt ne të gjitha klubet iu kemi dhënë futbollistëve punë individuale, por kjo është e vështirë. Të ishte kaq e lehtë, këtë do ta bënin të gjithë. Futbollistët kanë humbur mjaft, sidomos fizikisht. Ata janë në pritje të vendimeve për vazhdimin e futbollit”, u shpreh Tovërlani.
“Nuk po frikësohem, kjo varet edhe prej shëndetit të njeriut që e ka, IKSHPK po ka shumë frikë për popullin, ata janë duke treguar kujdes, por nuk ia kam drojën”, u shpreh ‘Toki’ në Radio Prishtina.
Tutje, Tovërlani ka folur edhe për liderin e Superligës së Kosovës në futboll, Ballkanin, skuadër që drejtohet nga Ismet Munishi.
“Secili nga kolegët e mi e ka të drejtën ta thotë mendimin e vet, ka shumë xhiro pa përfunduar, ndoshta të jesh në pozitën e parë dhe mu shpall kampion si Ismeti, është e drejta e tij të thotë që mos të zhvillohet më asnjë ndeshje. Por, ajo qka është kryesorja është që t’i mbajmë stërvitjet për aq sa kemi mundësi”, theksoi Tovërlani.