Vjosa Osmani dhe burri i saj Prindon Sadriu kanë një mik të mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ai nuk është edhe mik i Kosovës.

Bëhet fjalë për ish kongresmenin amerikan Dana Rohrabacher, i cili ka shërbyer për 30 vjet në Kongresin Amerikan, historia e të cilit flet për angazhim kundër Kosovës.

Ai ka qenë një nga njerëzit e rrallë brenda institucioneve amerikane që ka përkrahur shumë vite më parë ndarjen e Kosovës.

Në një dëgjim publik të Nën-Komitetit për Evropë, Euroazi dhe Çështje Emergjente, në kuadër të Kongresit Amerikan, Rohrabacher ka folur me këmbëngulje për ndarjen e Kosovës.

“Kufijtë e Kosovës mund të rregullohen në përputhje me dëshirën e njerëzve që jetojnë brenda atyre kufijve. Territori mund të shkëmbehet për të vendosur një ekuilibër të ri në rajon”, kishte deklaruar ai në vitin 2013.

Mediat më të fuqishme amerikane, Washington Post dhe New York Times, ndërkaq, kanë shkruar gjatë për lidhjet e tij me Rusinë dhe Presidentin Vladimir Putin.

Sipas tyre, Rohrabacher ishte paguar nga Putin, e po ashtu kishte takuar njerëz të Putinit në Amerikë. Përveç kësaj, ai kishte takuar dhe përkrahur miken e Presidentit rus, lideren e opozitës në Francë, Marine Le Pen, e cila kishte marrë para nga Rusia për ta financuar fushatën e saj elektorale.

Por, një tjetër dyshim më i madh kishte dalë në vitin 2012 në Amerikë sa i përket lidhjeve të Rohrabacher me Rusinë. Sipas New York Times, FBI kishte alarmuar në këtë vit se spiunët rusë aktivisht po përpiqeshin ta rekrutonin kongresmenin. Ndonëse Rohrabacher i kishte mohuar këto, në vitin 2015 ai kishte pasur takime me një grua nga Rusia, e cila ishte akuzuar si spiune e Moskës.

Por, si u bë që Kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Vjosa Osmani, dhe bashkëshorti i saj Prindon Sadriu, të lidhin miqësi dhe ta ruajnë edhe sot atë me një njeri që haptas lobonte për ndarjen e Kosovës dhe ishte mik i Rusisë e Putinit?

Historia nis shumë vjet më parë, kur Prindon Sadriu ishte në SHBA për studime. Në atë kohë ai kishte filluar të punonte në zyrën e Dana Rohrabacher. Aty kishte shërbyer për muaj të tërë dhe asnjëherë nuk janë dhënë shpjegime se si kishte ndodhur një gjë e tillë. Prindoni me krenari mban edhe fotografi me të.


Burimet thonë se sa herë që Rohrabacher ka ardhur në Kosovë ka takuar Vjosa Osmanin dhe Prindon Sadriun.

Por, çifti është përpjekur ta shmangë si temë historinë e lidhjes së tyre me të. Edhe në rastin kur Vjosa Osmani ka folur, e ka mbrojtur kongresmenin kundërshtar të Kosovës, Rohrabacher. Ajo ka injoruar deklaratat publike dhe të qarta të tij kundër Kosovës dhe në favor të ndarjes së saj.

Në një postim në profilin e saj në Facebook, Vjosa Osmani përpiqet ta paraqesë kongresmenin Rohrabacher si përkrahës të pavarësisë së Kosovës, duke prezantuar disa qëndrime të tij para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por injoron tërësisht deklaratat e tij të mëvonshme pro ndarjes së saj.

Në një përgjigje të saj për Avni Zogianin, ndërkaq, të publikuar në faqen e saj në Facebook, Vjosa Osmani tregon se si Rohrabacher e takon bashkëshortin e saj sa herë që ai e viziton Kosovën.

“Se si është pranuar Prindon Sadriu në Kongresin amerikan (detaj që ti po ashtu qëllimisht e ke lënë anash) dhe si i ka kaluar filtrat e sigurisë së këtij kongresi, mund ta kuptosh nga zyra e Kongresmenit Rohrabacher (anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve), ku Prindoni ka qenë i angazhuar. Pse Kogresisti takohet me Prindonin sa herë vjen në Kosovë, po ashtu mund ta konfirmoni me zyrën e tij”, shkruan ndër të tjera Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj Prindon Sadriu vazhdojnë ta kenë mik edhe në rrjete sociale ish kongresmenin dhe mikun e Putinit, Dana Rohrabacher.

Share.