Lëvizja Fol ka organizuar diskutimin e pestë dhe të fundit në kuadër të Forumit “Fol Hapur”, me kandidatë për kryeministër.
Kandidati për kryeministër nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka folur për prioritetet e tij për qeverisjen e ardhshme, e cila sipas tij do të jetë reformatore, raporton EkonomiaOnline.
Limaj ka theksuar se prioriteti kryesor i tij është dialogu me Serbinë dhe integrimi i Kosovës në BE.Poashtu Limaj ka thënë se ekonomia e shtetit mund të zhvillohet nëse i jepet prioritet bujqësisë.
“Është një mundësi e mirë për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës. Ka ardhur një moment ndoshta edhe i vonuar që Kosova të jetë me një qeveri reformatore. Funksionimi dhe ambiciet e vendit janë duke u rritur deri tek obligimeve tonë drejt integrimit të vendit. Kam disa prioritet, kryesori është dialogu dhe politika e jashtme, pastaj bujqësia për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe mundësi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha Limaj.
Limaj ka deklaruar se një ndër prioritetet tjera të tij janë paketat sociale, siç janë shtesat e fëmijëve, dhe periudha e lehonisë.“Paketat sociale, duke bërë pune të jashtëzakonshme dhe ende e kemi një angazhim permanent. Shtesat e fëmijëve, qoftë ata që punojnë apo nuk punojnë. Duhet të trajtohet seriozisht. Sigurimi social të cilin e kemi obligim. Pjesa e lehonisë, gratë meritojnë kujdesin për rritjen e fëmijëve”, tha Limaj.
Më tej, Limaj ka bërë të ditur se në qeverisjen e tij do të bëhen sigurimet shëndetësore, pasi siç tha ai nuk mund të ketë shëndetësi të mirë nëse nuk kemi sigurime shëndetësore.
Ndër të tjera, Limaj ka përmendur edhe reforma në drejtësi, e cila sic tha ai do të bëhet përmes ligjit.“Sigurimet shëndetësore, nuk mund te kemi një shëndetësi të mirë nëse nuk kemi sigurime shëndetësore. Duhet të ndryshojmë marrëdhëniet mes vendlindjes dhe diasporës. Ka njerëz punëtor me biznese të suksesshme, prandaj biznesi ynë ose shqiptaret atje të kthehen në bashkëpunim me prodhimet kosovare. Reforma në drejtësi, është një prioritet tjetër, ku duke respektuar reformën e drejtësisë nga Prokurori e deri tek një gjyqtar për matjen e performancës e cila mund të bëhet përmes ligjit”, ka thënë Limaj.