Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatin e zgjedhjeve të 30 qershorit, pothuajse një muaj pas mbajtjes së tyre.
Katër anëtarë të KQZ-së votuan pro ndërsa vetëm kryetari Klement Zguri votoi kundër.
Ai u shpreh se zgjedhjet janë shoqëruar nga një konflikt i madh politik, ndërsa mosmarrëveshjet do të vazhdojnë edhe më tej. Zguri kritikoi edhe punën e institucionit që drejton duke thënë se performanca të tilla e bëjnë të pamundur të japë një votë “për” dhe se KQZ-ja nuk duhet të funksionojë sipas këtyre standardeve.
“Besoj se KQZ mes transparencës dhe kamuflimit, ndërmjet neutralitetit dhe njëanshmërisë, ligjshmërisë dhe arbitraritetit, për fat të keq KQZ zgjodhi të dytën. Vota për këtë proces sigurisht që ngelet votë dhe për KQZ, me keqardhje them që për shkak të një performancës e kam të pamundur të japë një notë kaluese. Do të votoj kundër. Dua që kjo performancë të mos kthehet në standard pune në të ardhmen”, deklaroi Zguri.
Nga sot, të gjithë kandidatët e zgjedhur në 30 qershor, brenda datës 10 gusht, do të kenë mundësi të marrin zyrtarisht mandatin duke u betuar para këshillave.
Nga ana tjetër, Kolegji Zgjedhor Zgjedhjeve ka nisur punën duke bërë shpërndarjen e këshilltarëve për bashkitë e vendit.