Fermerët në Rahovec po kërkojnë të lejohen të dalin në treg për të shitur produktet e tyre, ne të kundërtën thonë se nuk do të mund të përdorën më për konsum. Komuna kisha vendosur një treg të gjelbër pranë Shtëpisë së Verës në Rahovec, por me urdhër të Ministrisë së Brendshme, policia nuk i kishte lejuar te vendosen aty për shitje.
Fermeri Ekrem Duraku nga Krusha e Madhe, kërkon qe te kthehet në treg meqë në të kundërtën thotë se detyrohet t’i asgjësojë 100 mijë tufë sallate të cilën e ka mbjellë.
Duraku: Fermerët të kthehen në treg në të kundërtën asgjësohen produktet
“Këto priten me ju asgjësua, brenda 10 ditësh duhet me u asgjësua, ose me shku në treg ose me u asgjësua se nuk kanë afat këto shumë. … obligime kemi pas shumë që kemi investua, kemi marrë edhe kredi, me hipotekë, nëse nuk i kthejmë ka me pas dëme të tjera”, tha ai.
Për këtë çështje kanë diskutuar sot edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Rahovecit Smajl Latifi.
Vendimin për ndalim të tregut, në të cilin thonë se ka qenë e rregulluar distanca fizike bazuar në rekomandimet e IKShP-së, po e konsiderojnë të papranueshëm.
Haradinaj: Fermerët të futen në pako ekonomike
“E dimë specifikën e Rahovecit, me pa si mundet me hy në pako ekonomike, në pako fiskale edhe njëherë, herën tjetër me hy fermerët pastaj me u kompenzu një pjesë e pasojave, e dëmit, se krejt është zor ndoshta. Më erdhi mirë qe kryetari nga java e ardhshme do të fillojë me incizim të dëmëve, si rasti yt dhe i të tjerëve dhe me pa si me i përkrah prej nivelit nacional”, tha Haradinaj pas derisa vizitoi fermën e Durakut.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se qeveria nuk po i ndihmon qytetarët e kësaj komune.
Latifi: Qeveria nuk po i ndihmon qytetarët e Rahovecit
“Fermerëve tanë përveç vështirësive dhe shqetësimeve të tjera serioze, u pamundësua edhe hapja e tregut, ata nuk kanë ku t’i shesin produktet e tyre të gatshme ndërkohë që diku në Prishtinë bëhen parada, lejohen edhe 500 vetë të mblidhen edhe pse në gjendje pandemike, e këtu 16 fermerë që t’i shesin prodhimet e tyre të gatshme, me këtë fakt ata po dëshmojnë qe nuk kanë gatishmëri as zoti Sveçla as zoti Kurti, as zoti Vitia qe t’i ndihmojnë qytetarët e komunës së Rahovecit, shtresën me të vyeshme më krenare në Republikën e Kosovës, fermerët dhe bujqit”, tha ai.
Haradinaj, bashkë me Latifin vizituan tregun ku kanë paraparë që të dalin fermerët t’i shesin produktet e tyre.
Haradinaj: Fermerëve po u pamundësohet puna e në Prishtinë po mblidhen qindra persona për show
“Ky është tregu i ndaluar për te cilin edhe njësitë speciale të policisë kanë ardhur prej Prishtinës, komuna i ka marrë te gjitha masat që me siguru fermerëve, sic e pam Ekremin që duhet me i gjujt tash 100 mijë tufë sallatë, distanca është prej tezgës në tezgë, 16 fermerë si ai, dhe disa tjerë që kishin punu me ndërrime duhet me i gjuajt produktet e veta, u është pamundësuar me punu, ndërsa dje e pamë në Prishtinë ju leju 500 vetëve me një show me u paraqit në atë mënyrë”, tha ai./ Tv Malisheva