Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi është tërhequr nga deklarata e tij dhënë ditë më parë për rritjen e punësimit gjatë kohës së pandemisë.

Në mbledhjen e qeverisë ku po raportohet 100-ditshin e punës, Bislimi theksoi se është keqkuptuar, derisa tha se nuk ka deklaruar që janë krijuar vende të punës, mirëpo janë formalizuar mbi 12 mijë vende të reja të punës me masën e Pakos Emergjente Fiskale.

Bsilimi: Jam keqkuptuar, nuk kam thënë se kemi krijuar vende të reja të punës

“Ajo që më bën më së shumti të gëzuar gjatë implementimit të pakos emergjente fiskale, është ndikimi i saj në formalizmin e ekonomisë. Kemi mbi 12 mijë vende të reja të punës së formalizuar në këtë masë. Është keqpërdor shumë për këtë masë, ne nuk kemi deklaruar që kemi krijuar vende të punës, mirëpo kemi formalizuar, e formalizmi në çdo shtet llogaritet si e arritur e madhe e qeverisë. Dhe njëkohësisht kemi mbajtur nën kontroll numrin e atyre që kanë humbur vendin e punës. Zyrtarisht deri më sot si pasojë e pandemisë kemi vetëm 1 mijë e 400 persona që kanë humbur vendin e punës”, tha Bislimi.

Ditë më parë, ministri Bislimi ka thënë se punësimi është rritur 6.6 për qind në muajin prill.

Ndërsa, ai shtoi se aktualisht kjo Ministri është në fazën e draftimit të pakos së rimëkëmbjes ekonomike dhe beson se deri në fillim të javës së ardhshme do të del me një draft të parë, i cili do të shqyrtohet me komunitetin e biznesit dhe me partitë opozitare./ Tv Malisheva

Share.