Që nga viti 2012, Kosova ka në fuqi Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, por ky ligj nuk e ka penguar zbulimin e identitetit të disa dëshmitarëve të mbrojtur.Pavarësisht se përmes këtij ligji, të gjithë personave që mund të jenë kyç në procese gjyqësore iu ofrohet fshehje e identitet, ndërrim i vendbanimit si dhe forma të tjera të mbështetjes fizike e financiare, nuk i ka bindur shumë dëshmitarë se mund të jenë të sigurt në rast se japin dëshmitë e tyre.Sipas organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin e drejtësisë, problemet që paraqiten në mbrojtjen e dëshmitarëve, janë të trashëguara nga misionet ndërkombëtare.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se rrjedhja e informatave dhe zbulimi i identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur, kanë zbehur besimin e qytetarëve për të qenë dëshmitar të mbrojtur.“Fatkeqësisht praktikat e UNMIK-ut, prokurorëve dhe gjyqtarëve të UNMIK-ut, praktikat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it, në njëfarë mënyrë e kanë zbehur edhe interesin e dëshmitarëve potencialë të mbrojtur, për të qenë në njëfarë mënyre në program të mbrojtur, pasi kemi pasur disa raste kur dëshmitarët kanë kryer vetëvrasje apo janë shtyrë për të bërë vetëvrasje. Në njëfarë mënyrë, kanë rrjedhur informata për identitetin e dëshmitarëve, andaj praktikat e mira që do të duhej të ishin ndërtuar nga prokurorët dhe gjyqtarët e UNMIK-ut dhe EULEX-it, në të vërtetë kanë pasur kundërefekt”, tha Miftari.Përveç kritikave nga organizatat vendore edhe Komisioni Evropian kritikoi këtë vit institucionet e Kosovës për mbrojtje joadekuate të dëshmitarëve.
Sipas juristit Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, institucionet e drejtësisë, kanë dështuar sidomos në rastet e mëdha korruptive.“Kosova si shtet ka dështuar që t’i mbrojë dëshmitarët, sidomos në rastet e mëdha korruptive, pasi që shumica e dëshmitarëve edhe pse në fillimet e tyre kanë nisur si dëshmitarë të mbrojtur, më pas kanë dalë publikisht dhe janë paraqitur me emër dhe mbiemër në seanca. E rëndësishme është që në raste të mëdha, sidomos në ato raste kur janë me persona të rrezikshëm dhe me persona të profilit të lartë, dëshmitarëve të mbrojtur t’iu garantohet një siguri maksimale, e mbi të gjitha jo vetëm siguria e emrit, por mbi të gjitha edhe integriteti i tyre fizik, personal dhe familjar”, tha Spahija.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Prokurorinë e Shtetit për faktin nëse ju ofrohet mbështetje adekuate personave që janë dëshmitarë të mbrojtur në procese të ndryshme të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, mirëpo nuk ka arritur të sigurojë ndonjë përgjigje zyrtare.Ndërkohë, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës thonë se gjykatat zbatojnë ligjin me përgjegjësi profesionale.Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, thotë se gjykatat trajtojnë me kujdes të veçantë rastet kur ka dëshmitarë të mbrojtur.“Ne zakonisht nëpër gjykata i kemi disa dhoma të veçanta, në të cilat merren në pyetje dëshmitarët e mbrojtur, në mënyrë që të mos të ketë kontakte ose identiteti i tyre të mos dihet. Aspekti tjetër është përtej Këshillit Gjyqësor apo gjykatave se si mbrohet një dëshmitar. Unë konsideroj se patjetër gjykatat e kanë zbatuar këtë ligj”, tha Çoçaj.Këtë vit, Komisioni Evropian kërkoi nga institucionet e Kosovës që të punojnë më shumë në mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe trajnimin në këtë fushë të gjyqtarëve dhe prokurorëve.Sipas kreut të KGJK-së, Skënder Çoçaj ky institucion vazhdimisht organizon trajnime të cilat janë të fokusuara edhe në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve.“Edhe kjo temë ligjërohet apo diskutohet nëpër trajnime që i mbajnë gjyqtarët, kështu që është pjesë e trajnimeve që janë mbajtur dhe do të mbahen edhe në të ardhmen”, tha Çoçaj.Radio Evropa e Lirë ka provuar të flasë edhe ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili është ende në detyrë pas rënies së qeverisë, mirëpo ai ka qenë i paqasshëm.Viteve të kaluara në Kosovë në disa procese gjyqësore, disa dëshmitarë pavarësisht se gëzonin statusin e dëshmitarit të mbrojtur në raste për krime lufte, identiteti i tyre u bë publik.Në vitin 2013, Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës, kishte reaguar kundër vendosjes së afisheve në qytetin e Skenderajt, në të cilat paraqitej një person që asokohe ishte dëshmitar i mbrojtur i prokurorisë.Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, thotë se mungesa e mbrojtjes së dëshmitarëve ka dështuar proceset gjyqësore për krime lufte.“Për shkak se dëshmitarët nuk janë mbrojtur në mënyrën e duhur, shumë procese gjyqësore kanë dështuar. Pra dëshmitarët, në shumë raste për krime luftë, kanë hezituar që të japin deklaratën e tyre në shqyrtimin kryesor për dallim prej fazës së hetimeve dhe ka pasur raste të tilla ku edhe kanë refuzuar apo ju kanë drejtuar panelit të gjyqtarëve, duke thënë se nuk është e vërtetë ajo deklaratë që kanë dhënë gjatë fazës së hetimeve”, tha Blakaj për Radio Evropa e Lirë.Rasti më i njohur i zbulimit të identitetit të një dëshmitari të mbrojtur në Kosovë është ai i dëshmitarit X, i cili u raportua se u gjet i vetëvrarë në Gjermani. Dëshmitari X ka qenë pjesë e procesit gjyqësor për krime lufte ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, për të cilin rast ky i fundit u shpall i pafajshëm.Ky proces gjyqësor ishte zhvilluar nga Misioni Evropian për Sundim të Ligjit EULEX.

Share.