Burundi ka dëbuar përfaqësuesin e OBSH-së nga vendi disa ditë para zgjedhjeve presidenciale dhe pasi organizata paralajmëroi për rrezikun e mitingjeve të mëdha politike.

Ministria e Punëve të Jashtme tha se përfaqësuesi i OBSH-së në Burundi, Walter Kazadi Mulombo, është shpallur person non-grata dhe duhet të largohet nga ky shtet i Afrikës Lindore deri nesër.

Tre ekspertë të tjerë të OBSH-së në vend u urdhëruan gjithashtu të largoheshin, raporton AP.

Nuk ka asnjë shpjegim për dëbimet, të cilat vijnë para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 20 majit, dhe në një kohë kur mjekët dhe opozita po akuzojnë qeverinë e Burundit për fshehjen e Covid 19.

Deri më tani, 27 të infektuar dhe një vdekje janë raportuar zyrtarisht në vend.

Një zyrtar lokal që nuk dëshironte të emërohej, tha për AFP se i gjithë ekipi i OBSH-së i ngarkuar për përkrahjen e Burundit në përgjigjen e tij ndaj Covid-19 ishte dëbuar.

Qeveria ka vendosur të mbyllë kufijtë, por nuk ka marrë asnjë masë mbylljeje, ndryshe nga shumica e vendeve të tjera të rajonit. Që nga fillimi i fushatës zgjedhore, tubimet politike janë zhvilluar normalisht dhe kanë tërhequr një numër të madh njerëzish, dhe masa të vërteta sanitare nuk janë zbatuar.

Burundi përdor kufizime në lidhje me virusin për të kufizuar ardhjen e vëzhguesve të zgjedhjeve, dhe u kërkon të huajve për një karantinë 14-ditore pas mbërritjes në vend.

Një muaj më parë, Ministria e Punëve të Jashtme të Burundit filloi të njëjtën procedurë kundër katër zyrtarëve të OBSH-së, por e pezulloi pas bisedimeve midis kreut të shtetit Pierre Nkurunziz dhe drejtorit të Përgjithshëm të OBSH, sipas burimeve diplomatike./ Tv Malisheva

Share.