Federata e Futbollit e Kosovës thotë se ka pranuar me shqetësim raportimet e mediave se disa prej klubeve të Superligës i kanë thyer rregullat e institucioneve, duke filluar me grumbullime dhe stërvitje në ekip, në periudhën kur një gjë e tillë është e palejueshme si pasojë e pandemisë Covid-19.
FFK konsideron se ky veprim i klubeve është i pamatur, joprofesional dhe i rrezikshëm për futbollistët dhe popullatën e gjerë.
“Edhe një herë ju bëjmë me dije se FFK është duke punuar pareshtur së bashku me institucionet shëndetësore dhe autoritetet e shtetit që të gjejnë mundësitë për rifillimin e aktivitetit, me masa të shtuara mbrojtëse për shëndetin e futbollistëve dhe pjesëmarrësve tjerë në stërvitje dhe në ndeshje të futbollit”, thuhet në reagimin e FFK-së.
FFK thotë se “duke pasur parasysh që ende nuk ka vendim as për datën e fillimit të stërvitjeve në grupe dhe as nëse do të vazhdojë apo jo kampionati e vlerësojmë të pakuptimtë veprimin e disa klubeve që kanë shtyrë futbollistët që të mbajnë stërvitje ekipore”.
Gjithashtu, FFK konsideron se një gjë e tillë e dëmton në masë të madhe përpjekjen e tyre që nëpërmjet një protokolli sanitar të marrin dritën e gjelbër nga autoritetet e shtetit për rifillimin e futbollit dhe për mbylljen e këtij kampionati në fushën e gjelbër.
“Kërkojmë urgjentisht nga të gjitha klubet që t’u përmbahen vendimeve të FFK-së dhe rekomandimeve të institucioneve shëndetësore dhe t’i ndërpresin menjëherë grumbullimet e tilla, duke i udhëzuar futbollistët që formën e tyre ta mbajnë me stërvitje individuale. Në ditët e ardhshme do të kemi sërish takime me drejtuesit e institucioneve shëndetësore dhe po bëjmë çmos për rifillim sa më të shpejtë të futbollit, por gjithnjë duke e pasur si prioritet shëndetin e futbollistëve”, përfundon reagimi i FFK-së.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme u raportua se ekipi i Prishtinës dhe ai i Gjilanit ka nisur me stërvitjet./ Tv Malisheva