Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka pritur në takim ministrin në detyrë të Bujqësisë, Besian Mustafën, të cilin e ka informuar për gjendjen e krijuar në këtë komunë si pasojë e pandemisë COVID-19, me theks të veçantë me vështirësitë që po ballafaqohen fermerët.

Në këtë takim ndër të tjerash, kryetari Latifi ka kërkuar nga ministri Mustafa që fermerët të futen në pakon emergjente, për shkak të humbjeve të mëdha që kanë pësuar gjatë pandemisë.

Latifi: Fermerët të futen në pakon emergjente

“E informuam Ministrin për shqetësimet të cilat i kanë fermerët tonë, bujqit tonë dhe për vështirësitë të cilat po ballafaqohen fermerët, të cilët nuk kanë treg se ku t’i shesin produktet e tyre…Po ashtu shprehëm kërkesën tonë, që të futen fermerët në pakon emergjente për shkak të humbjeve….Sikurse edhe për plotë aspekte të tjera të cilat nëpërmes kësaj Ministrie, do të mund t’i zgjidhnim”, tha Latifi, raporton KosovaPress.

Ministri Mustafa, pasi që pa nga afër gjendjen e fermerëve në këtë komunë, tha se ka bërë kërkesë që në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike të përfshihen edhe kompensimet e dëmeve në bujqësi.

Mustafa: Së shpejti do të kemi shpalljen për grante dhe subvencione për vitin 2020

“Lajmi i mirë është që së shpejti do të kemi shpalljen për grante dhe subvencione për vitin 2020, duke përfshirë të gjitha mundësitë buxhetore që kemi….Unë kam bërë kërkesë që në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike brenda mundësive buxhetore të përfshihen edhe kompensimet në çfarë do forme të mundshme, dëmet ekonomike që ju kanë shkaktuar bujqve dhe agro-përpunuesve tanë, si rezultat i pandemisë”, deklaroi ai./ Tv Malisheva

Share.