Zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi ka reaguar pas arrestimit të drejtorit të qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazit.

Sipas tij, mbajtja e Abazit në komisariat është mesazh politik.Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Zaimi ka thënë se drejtorët e policisë që kanë dhënë urdhër për “vëmendje speciale” për Boikenin mbajnë përgjegjësi edhe vetë, siç do të mbajnë edhe politikanët që i kanë telefonuar për t’i “udhëzuar”.

“Protestat do të vazhdojnë dhe do të jenë gjithëpërfshirëse, sepse prishja e teatrit ishte akt tinzar nga një pushtet që ka vepruar natën, si bandit ordiner”, ka shkruar Zaimi.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka njoftuar dje se nga policia e atjeshme është arrestuar Drejtori i Qendrës së tyre, Bioken Abazi.

“Në përpjekje qytetare për mbrojtjen e ligjshme të Teatrit Kombëtar nga shkatërrimi i paligjshëm, Policia e Shtetit ka ndaluar aktivistët Boiken Abazi dhe Kastriot Qema dhe i ka shoqëruar ata në komisariat”, thuhet në postim.

VV-ja i ka bërë thirrje shtetit shqiptar të ndalojë menjëherë prishjen e mëtejshme ndërtesës së Teatrit dhe të lirojë menjëherë aktivistët e qytetarët./Tv Malisheva

Share.