Ministrja në detyrë e MKRS-së Vlora Dumoshi dhe rektori i UP-së “Hasan Prishtina”, Marian Dema, nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi për rithemelimin e Muzeut të Historisë së Natyrës në Kosovë, institucion ky i cili ka funksionuar nga viti 1951 deri më 2001.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është bërë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.

Sipas memorandumit, MKRS-ja ka për obligim të ndërtojë infrastrukturën adekuate për muzeun në fjalë, me gjithë hapësirat përcjellëse, financimin dhe ndihmesën e mbledhjes së fondeve për eksponatet dhe koleksionin, mbështetjen e vazhdueshme të Muzeut si institucion kulturor publik.

Ndërsa, UP-ja, konkretisht Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, ka për obligim ndihmën në aspektin shkencor dhe teknik të hulumtimeve dhe ekspozitave për Muzeun e Historisë së Natyrës, pasurimin e koleksionit të Muzeut të Historisë së Natyrës, konservimin, kërkimin, mbledhjen dhe përhapjen e diturisë mbi natyrën në Kosovë, vënien në dispozicion të kuadrit profesional për Muzeun.

Në fjalën e saj, ministrja Dumoshi u shpreh se shtojnë angazhimin në renovimin dhe funksionalizimin e muzeve tjera, e si prioritet përmendi Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” dhe tha se do të mbështesin edhe muzetë nëpër qytete tjera të Kosovës.

“Ne sot në këtë ditë, po e japim një lajm të mirë, sepse jemi në finalizim me Komunën e Prizrenit për hapjen e Muzeut të Filigranit”, tha Dumoshi, duke u zotuar se do të mbështeten muzetë në Kosovë me qëllim të pasurimit të fondit muzeal.

Ndërsa rektori Dema tha se Universiteti i Prishtinës ka potenciale të mëdha në organizimin e ekspozitave, në ndihmën në ekspertizë që do t’ia jep këtij muzeu në organizime të përbashkëta.

18 maji është Dita Ndërkombëtare e Muzeve, që koordinohet nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM), pjesë e të cilit është edhe Kosovës./ Tv Malisheva

Share.