Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka reaguar ndaj deklarimeve të igumenit Sava Janjiq për kinse marrjen e pronave të manastirit për ndërtim të autostradës, duke kërkuar nga ky i fundit që të tregojë të vërtetën dhe të mos bëjë politikë në emër të kishës serbe.
Ai në një postim në Facebook shkruan se njeriu që në etapa të ndryshme e tejet të rëndësishme, e mbrojti dhe u kujdes për Manastirin s’mund të jetë pengesë.
“Sava Janjiq, duhet të thotë të vërtetën dhe të jetë i përgjegjshëm në deklarimet e tijë, të mos bëjë politikë në emër të Kishës. Ne kemi dëshmuar vullnet të përhershëm në mbrojtjen e vlerave shtetërore”, ka shkruar Ramosaj.
Ndryshe, igumeni Sava Janjiq ka deklaruar për mediat serbe se ‘po konfiskohet prona nga manastiri i Deçanit dhe pranë tij do të ndërtohet një autostradë’.
“Qëllimi nuk është vetëm konfiskimi i pasurisë së manastirit, por edhe ndërtimi i një autostrade ngjitur me manastirin. Këto ditë, punimet për zgjerimin po rihapin dhe ekziston rreziku që ato të vazhdojnë në zonën e mbrojtur rreth manastirit, gjë që është e ndaluar me ligj “, tha Janjiq./ Tv Malisheva