I pari i LDK-së, Isa Mustafa, dje bëri të ditur se e ka shembur shtëpinë në të cilën ai së bashku me familje ka jetuar për më shumë se 50 vjet. Se çka ka vendosur Mustafa të bëjë në atë truall, u diskutua mjaft në media.Në një përgjigje për Gazetën Express, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, u dha fund spekulimeve, duke treguar se në atë pjesë është paraparë të ndërtohen banesa.Isa Mustafa, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u duk i emocionuar derisa shkroi se dje kanë shembur shtëpinë në të cilën ai së bashku me familje kishin jetuar për më shumë se 50 vjet.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, duke bashkëngjitur fotografi të shtëpisë tha se kishin jetuar në këtë truall që nga viti 1956.“Në këtë shtëpi, deri dje, jetuam me familjen time mbi dyzetë vite, e në këtë truall nga viti 1956. Këtu lindën Arbeni, Afërdita, Besniku. Mbesat Lira, Era e Nina dhe nipi Alpi. Lindi edhe Blerina, vajza e tim vëlla. Sot shtëpia ime shembi shtatin në bredhat që e rrethuan. IM”, është shkrimi që Mustafa bëri në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.Postimi i Isa Mustafës mori dje mënjëherë vëmendjen e mediave. Diskutabile u bë se çka do të ndërtonte në atë truall Mustafa pas shembjes së shtëpisë.

Për këtë çështje, ka folur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.Haziri ka thënë shkurtimisht se në atë pjesë Mustafa ka vendosur të ndërtojë banesa.

“Banesa” ishte përgjigja e Hazirit, pyetur për atë se çka do të ndërtohet në atë pjesë.Se lideri i LDK-së e ka shembur shtëpinë për të ndërtuar banesë e kanë zbuluar edhe fqinjët e tij. Në postimin e Mustafës në Facebook një nga fqinjët e tij ka shkruar se së shpejti do të kthehen që t’i gëzojnë banesat e reja.“Prof i Nderuar, e patëm nderin që për 50 vite ishim fqinjët e parë me juve, jeni të ndershëm dhe tejet familje bujare e besnike, do të na mungosh së tepërmi Prof, edhe pse së shpejti do të kthehemi dhe ti gëzojmë të rejat që i solli koha, miqësinë dhe fqinjësinë me njerëz si ju dhe familja e juaj dua ta mbaj deri sa të jem gjallë”, ka shkruar ai

Share.