Diplomatët amerikanë në Shqipëri shprehën sërish mbështetjen e vazhdueshme të SHBA për suksesin e reformave të Shqipërisë për mirëqeverisje dhe mbizotërim të ligjit.

Zëvendës-Shefi i Misionit në Detyrë Dan Koski deklaroi sot se “jo të gjithë ndajnë qëllimet tona për të përmirësuar zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë në Shqipëri. Për zyrtarët e korruptuar, ndryshimi, që ne po sjellim është një lajm i keq. Është si rëra në ingranazhe, e cila shumë shpejt do të bëjë që aktivitetet e tyre korruptive të ndalen”, – tha zoti Koski.

Ai i bëri këto komente në veprimtari të USAID-it mbi Projektin për Planifikimin dhe Qeverinë Vendore të Shqipërisë.

“Ne e dimë se ata do të luftojnë dhe do të përpiqen në çdo moment të bllokojnë përpjekjet tuaja për të çuar përpara këto qëllime të rëndësishme. Mos u stepni. Mos u shkurajoni. Vazhdoni të qëndroni në këmbë dhe të luftoni për reformat që do të forcojnë shoqërinë shqiptare për ju dhe brezat e ardhshëm. Ju besoni që në horizont është një e ardhme më e ndritur për Shqipërinë. Të njëjtën gjë mendojmë edhe ne, dhe do ta vijojmë këtë rrugëtim së bashku me ju” – tha zoti Koski.

Në këtë veprimtari të USAID-it mori pjesë edhe zëvendës-kryeministri Erjon Braçe. Ai theksoi vendosmërinë e shumicës në qeverisje për kryerjen e reformave themelore si ajo në sistemin e drejtësisë.

“Çdo reformë pa drejtësinë e pavarur, të barabartë, funksionale është e cungët, vë në rrezik rezultatet e saj. Presionet, sulmet e politikanëve të përjetshëm e me pushtet po të tillë, të paprekshëm, biznesmenëve me ta, të fuqizuar prej tyre, bërë edhe këta të paprekshëm, kriminelëve të rëndësishëm për shkak të organizatave të tyre e për shkak të fuqisë ekonomike, lidhjeve me politikën, nuk duhet të ndryshojnë reformën, nuk duhet të ndalin vetingun, nuk duhet të pengojnë ndërtimin e institucioneve të drejtësisë së re, profesionale, të pavarura, të pastra, si një garanci për qytetarët, organizatat politike, organizatat e biznesit, si garanci që institucionet do udhëhiqen veç nga ligji, nderi e dinjiteti” – tha zoti Braçe.

Ai shtoi se drejtësia nuk duhet të vonojë për gjithëkënd, veçanërisht për ata që përfshihen në korrupsion e krim, nga pozitat më të larta të pushtetit politik dhe ekonomik, duhen ndëshkuar fort e shkurajuar imunitetet përballë ligjit e duke e shkelur atë.

“Duhet të përmbushim konkretisht e me shembuj të qartë nga politika e pistë, biznesi klientelist e krimi i organizuar, pritshmëritë e shqiptarëve të zakonshëm të dhunuar prej tyre e që kërkojnë drejtësi të barabartë për të pushtetshmit” – tha zoti Braçe./VoA

Share.