Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se pasi që edhe Kosova gradualisht po tejkalon këtë situatë me pandemi, natyrshëm është obligim nga të gjithë mekanizmat që të bëhet e mundshme rikthimi i situatës normale por edhe rimëkëmbja ekonomike.

Presidenti Thaçi gjatë vizitës në Odën Ekonomike të Kosovës theksoi se është jetike të nxirret një pako për rimëkëmbjen e ekonomisë, pasi sipas tij, kjo qeveri për fat të keq deri tash ka dështuar.

Thaçi: Qeveria ka dështuar për rimëkëmbje ekonomike

“Është jetike që të nxjerrët një pako e plotë, e qartë, e nevojshme dhe natyrisht në përputhshmëri me interesat dhe nevojat e bizneseve, në mënyrë që të kemi një rikthim të ekonomisë gjithashtu drejtpërdrejt të kemi një interesim të veçantë të sektorit privat. Për kujdesin që duhet të vazhdohet të tregohet ndaj punëtorëve që të vazhdoj prodhimi, të njëjtën kohë të shohim të gjitha masat tjera që mund t’i ndërmarrim si institucione me një angazhim të përbashkët të spektrit politik. Për fat të keq deri më tani kemi pasur një qasje jo serioze jo profesionale të dështuar të qeverisë së Kosovës sa i përket rimëkëmbjes ekonomike”, u shpreh Thaçi.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se në këtë situatë të pazakonshme pandemia nuk ndikoi vetëm në shëndetin publik, por pati ndikim edhe në ekonomi më dëme të konsiderueshme.

Rukiqi tha se asnjë nga masat që prekin sektorin privat nuk është implementuar deri tash nga Pako Emergjente.

Ai shtoi se me presidentin sot diskutuan për mundësinë e një konsensusi politik për rimëkëmbje ekonomike, pasi nevoja është për një pako për shpëtimin e ekonomisë.

Rukiqi: Kërkohet konsensus politik për rimëkëmbje ekonomike

“Asnjë nga masat që e prekin sektorin privat nuk është implementua dhe normalisht që kemi dhënë propozimet tona dhe kemi kërkuar sa më shpejt që të ketë një konsensus politik në vend që I mundëson Kosovës që ta ketë një pako të rimëkëmbjes ekonomike që e rikuperon ekonominë shumë më shpejt dhe që nuk krijon dëme afatgjate që pastaj munden me ka krijuar probleme fatale siç mund të jetë humbja e vendeve të punës dhe rritja e deficit tregtar, e shumë probleme të tjera përcjellëse që kanë ndikim në mirëqenien e qytetarëve të vendit”, theksoi Rukiqi.

Ai po ashtu ka kërkuar që është koha për hapje të të gjitha bizneseve, jo me larg se data 28 maj 2020. Sipas tij, situata me pandeminë, numri i menaxhueshëm i rasteve të infektuara, numri i vogël i rasteve në kujdes intensiv, janë argument i mjaftueshëm për hapjen e të gjitha bizneseve, sigurisht përcjellë me masat mbrojtëse dhe distancimin social adekuat. /Tv Malisheva

Share.