Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Pejë ku vizitoi edhe vendin ku është paraparë të ndërtohet objekti olimpik i klubit të xhudos Ipon.
I pari i AAK-së u shpreh shumë mirënjohës ndaj dy vëllezërve Kuka, Dritonit dhe Agronit për të cilët u shpreh se të dy ia kanë kushtuar jetën e tyre suksesit të sportistëve.
Haradinaj: Toni e Agroni ja kanë kushtuar jetën suksesit të garuesve
“Toni, Agroni ia kanë kushtuar jetën e vet suksesit të garuesve, e ky sukses që është një mburrje e madhe për Kosovën, një arritje e madhe për Kosovën pra edhe medalje olimpike, por tani kemi edhe ekipin olimpik sepse mësova se 5 garues janë të kualifikuar në Olimpiadë. Këtu jemi edhe në vendin ku do të ndërtohet edhe një sallë për stërvitje në kushte më të mira sesa ekzistuesja. Ekzistuesja ka qenë e familjes, familja e ka ofruar pra sikurse e dinë krejt Kosovën, pronën, shtëpitë e veta gjithnjë për suksesin”, u shpreh Haradinaj.
Ndërsa trajneri më i mirë kosovar, Driton Kuka u shpreh shumë mirënjohës ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, i cili sipas tij është edhe politikani i parë që ka vizituar ekipin olimpik të xhudos.
Kuka: Haradinaj i pari nga klasa politike që viziton ekipin olimpik
“Është kënaqësi që sot kemi vizitë nga ish-kryeministri dhe miku im Ramush Haradinaj, i cili është i pari nga klasa politike që e ka vizituar ekipin olimpik dhe i jemi mirënjohës dhe i cili shprehu gjithmonë dëshirën e tij që të jetë afër ekipit dhe çdo sfidë të cilat na presin në të ardhmen”, u shpreh Kuka.
Kujtojmë që objekti olimpik i xhudos ka filluar së ndërtuari së fundmi dhe është mbështetur financiarisht nga Federata e Xhudos së Kosovës dhe Ministria për Kulturë, Rini e Sport../Tv Malisheva