Kandidati për kryeministër të vendit, Fatmir Limaj, ka falëndëruar përkrahësit e koalicionit që ai udhëheq për tubimin e mbremshëm madhështor ku morën pjesë mijëra simpatizantë.
Ndërsa nga sot, Limaj ka thënë se do të nisin turin e takimeve me qytetarë dhe përkrahës anëkend vendit për të shpalosur vizionin e tij dhe projektin Bashkë për Shtetin.
Më tutje, ai shkruan se në zgjedhjet e 6 tetorit NISMA-AKR dhe PD garojnë me programin i cili adreson shqetësimet e qytetarëve të vendit.
“Zhvillimi ekonomik, përmes investimeve të fuqishme në bujqësi deri në 500 milionë euro brenda një mandati qeverisës, vazhdimin e mbështetjes së prodhuesve vendorë dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë, paketën sociale që parasheh shtesa për fëmijë, sigurime shëndetësore dhe qasjen ndryshe ndaj diasporës”, ka shkruar Limaj në ‘Facebook’.
Po ashtu qytetarëve të Kosovës, ai ka thënë se ia kanë ofruar listën me kandidatët më të mirë për deputetë.
“Njerëz të dëshmuar në etapa të ndryshme për vendin dhe të cilët meritojnë mbështetjen e qytetarëve të vendit. Ftoj qytetarët e Kosovës ta mbështesin këtë vizion i cili ofron dhe bashkon njerëz dhe jam i bindur se ky vizion herëdo kurdo do të triumfojë sepse vetem ky vizion e çon vendin përpara”, ka theksuar Limaj.
Ndryshe, sot Nisma do të mbaje tubime në Skenderaj, Mitrovicë dhe Vushtrri ku të pranishmeve do t’iu drejtohet kreu i Nismës, Fatmir Limaj.