Ministria e Financave dhe Transferve sot ka prezantuar draftin e pakos për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë me virusin Covid-19.

Në një konferencë për media, ministri në detyrë Besnik Bislimi tha se pakoja e dytë për ekonomi ka një ndikim 1.2 miliard euro për pesë vjetët në vijim.

Bislimi tha se fokusi primar i pakos është mbështetja me kredi për bizneset e prekura nga pandemia, ndërsa ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të ratifikojnë marrëveshjet ndërkombëtare, meqë edhe marrin aktualisht pagat në vazhdimësi si ligjvënës.

Sipas ministrit Bislimit, prej 11 masave të parashikuara me pakon e rimëkëmbjes ekonomike, masa më e fuqishme që kërkon intervenim përmes sistemit bankar dhe Fondit Kosovar për garantimin e kredive, është masa 1, e cila ka për qëllim kreditimin në ekonomi për të siguruar rritje të ofertës agregate.

Kjo masë sipas tij e ka ndikimin total në ekonomi 1.1 miliard euro, ndërkaq shpenzimi total i buxhetit është 300 milionë euro. Nga këto 300 milionë euro, 195 milionë janë mbështetje për mbulimin e kredive jo performuese, kurse pjesa tjetër prej 105 milionë është për mbulimin e kostos së interesit për bizneset e caktuara.

Ministri Bislimi u shpreh i bindur se kanë siguruar burimet e financimit të pakos, ku janë paraparë katër burime, mirëpo kërkohet ratifikimi i tyre në Kuvend.

I pyetur nga mediat për të drejtën e procedimit të projektligjeve, ministri Bislimi u shpreh se edhe pse janë qeveri në detyrë, ligjërisht kanë të drejtë të dërgojnë pakon ekonomike për miratim në Kuvend.

Ministri në detyrë ka përshkruar financimin e burimeve të pakos, i cili tha se nga emetimi i letrave me vlerë janë siguruar 50 milionë euro, ndërsa nga burimi i dytë më i fuqishëm është kreditimi i jashtëm me kushte të volitshme, ku deri më tani janë siguruar mbështetje buxhetore 52 milionë nga FMN-ja, 22 milionë nga Banka Botërore, 35 milionë nga Banka Zhvillimore të Këshillit të Evropës, 46 milionë nga Banka Botërore për financimin e pakos emergjente, 100 milionë asistencë makrofiskale nga BE, 30 milionë kredi nga BERZH-I që është duke u negociuar ende, 26.5 milionë euro grante nga fondet e IPA-s, 2 milionë grante nga BB për shëndetësi.

Ministri Bislimi thotë se burimi i katërt janë ulja e pritshme e shpenzimeve buxhetore për shpenzimet kapitale dhe mallra dhe shërbime, ku pritet të kursehen mjetet në vlerë 30-40 milionë euro në vit.

Nga pakoja ekonomike pritet të përfitojnë edhe mërgata e Kosovës, ku është paraparë për këtë vit të mbulohet kartoni i gjelbër.

Në fund Bislimi ka folur edhe për pakon emergjente fiskale, që sipas tij nuk është implementuar në tërësinë e saj.

Deri më tash, injeksionet financiare të përfshira në këtë pako, kanë arritur të depërtojnë te 100.564 përfitues të skemave sociale, që kanë përfituar mbështetje të dyfishuar mujore për tre muaj rresht, 167.768 përfitues të skemave pensionale, të cilët në baza mujore përfitojnë deri në shumën 100 euro, ku secili prej tyre për tre muaj rresht përfiton 30 euro pension shtesë, 116.770 punëmarrës që kanë përfituar kompensim të pagës 170 euro, ku në pritje për përfitim janë edhe 44.000 punëmarrës tjerë.

22.088 punëmarrës nga sektori publik dhe privat që kanë përfituar 300 euro shtesë për dy muaj si shpërblim për ekspozim mbi-proporcional ndaj rrezikut për atakim nga virusi korona.

10.685 punëmarrës të sektorit privat (markete ushqimore, furra dhe barnatore) që kanë përfituar nga 100 euro shtesë për ekspozim mbi proporcional ndaj rrezikut për atakim nga virusi korona (në listë për përfitim janë edhe afërsisht 8.000 punëmarrës tjerë).

12.323 punëmarrës të rinj të shtuar (formalizuar) në kontingjentin e fuqisë punëtore pas fillimit të masave kufizuese.

5.559 amvisëri të cilat përgjatë pandemisë kanë vërtetuar se kanë mbetur pa asnjë burim të të ardhurave, kanë përfituar nga 130 euro në muaj. Në listë për verifikim janë edhe 50.000 amvisëri tjera.

Ndërsa, nga ekzekutimi ende i papërfunduar pritet të përfitojnë edhe mijëra amvisëri, punëmarrës, përfaqësues të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, fermerë, përfaqësues të komunitetit të artistëve e rinisë, ndërmarrje publike./Tv Malisheva

Share.