Me gati 9 mijë raste të reja në 24 orët e fundit dhe 400 mijë në total, Rusia mbetet nga vendet me më shumë të infektuar nga Covidi në botë. Ndërkohë autoritetet konsiderojë se pandemia po stabilizohet ndaj edhe kufizimet kanë nisur të lehtësohen.
Rusia vazhdon të mbetet vatra e tretë kryesore në botë për personat bartës të koronavirusit.
Ndërsa rrugët e Moskës të shtunën ishin më të frekuentuara nga njerëzit për shkak të lehtësimit të masave antikovid, autoritetet raportuan gati 9 mijë raste të reja në të gjithë vendin, duke e çuar në afro 400 mijë totalin e të infektuarve.
Sëmundja infektive, ndërkaq, i mori jetën 181 personave të tjerë në 24 orët e fundit.
Të premten qeveria ruse prezantoi të dhëna më të detajuara për viktimat e muajit të kaluar, çka rriti edhe bilancin total.
Pas rezervave të shfaqura nga ekspertë vendës dhe perëndimorë se numrat po manipuloheshin për qëllime politike, kryeqyteti i vendit gati e dyfishoi numrin e viktimave nga kovidi, me arsyetimin se me metodologjinë e vjetër nuk përfshiheshin rastet pozitive të personave të vdekur për shkaqe të tjera.
Në rang vendi, më shumë se 4,500 qytetarë kanë humbur jetën nga sëmundja vdekjeprurëse.
Nga dita e martë, autoritetet thonë se përhapja e virusit ka hyrë në stadin e qëndrueshëm dhe për pasojë janë hequr disi kufizimet brenda vendit.
Për qytetarët e Moskës, është shtyrë deri më 14 qershor urdhri për vetizolimin e personave që shfaqin simptoma të koronavirusit.
Ndalesat për shtetasit e huaj, udhëtimet nga ajri dhe toka mbeten ende në fuqi.
Ndërkaq, nga dita e hënë, shefi i kryebashkisë ruse ka njoftuar rihapjen e të gjitha bizneseve përveç atyre ushqimore, si edhe do hiqen kufizimet për shëtitje dhe vizitat në parqe