Pronari i Brescias, Massimo Cellino, ka thënë se Paris Saint-Germaini dhe Barcelona janë përpjekur që ta transferojnë Sandro Tonalin, mirëpo ai preferon të qëndrojë në Itali.
Mesfushori italian ka lënë përshtypje të mirë në sezonin e parë në Serie A, ndërsa presidenti ka pranuar se 20-vjeçari mund të largohet nga Rondinelle këtë verë.
“Unë dashurohem me lojtarë të caktuar dhe kurrë nuk do të dëshiroja t’i shes. Ëndrra ime ishte të ndërtoja një skuadër rreth tij, një skuadër që të kënaq”.
“Mirëpo, unë e kuptoj se djaloshi ka shënjestra të rëndësishme personale, një familje që e mbështet, sidomos nëna e tij”.
“Nasser (Al-Khelaifi) do të dëshironte ta kishte në Paris, ai më ka shkruar. Por, ai (Tonali) nuk dëshiron të shkojë në Francë. Ai e preferon Interin dhe Juven”.
“(Presidenti i Napolit, Aurelio) De Laurentiis ka ofruar 40 milionë euro, Fiorentina është e gatshme të bëjë çfarë të jetë e nevojshme, por fati i tij është pak a shumë i vulosur”.
“Para coronavirusit, Barcelona erdhi me 65 milionë euro dhe dy lojtarë shumë interesantë në vlerë prej 7.5 milionë eurosh, njëri prej tyre ishte mbrojtës”, ka deklaruar Cellino për Il Corriere dello Sport. /Tv Malisheva