Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ditë më parë mori vendim që të mos vazhdojnë garat në kategoritë më të ulta se Superliga e futbollit dhe ajo e futsallit.
Ky vendim ka gëzuar pa masë drejtuesit e klubit nga Prizreni, FC A&N i cili tanimë për një vit e gjysmë ekzistencë e sheh vetën në Ligën e Parë të Kosovës.
A&N ishte në pozitën e dytë në renditjen tabelare me pikë të barabarta me Kikën, kështu që me vendimin e FFK-së, automatikisht u inkuadrua në Ligën e Parë.
Drejtori i kësaj skuadre, Faruk Tahiri foli më shumë detaje rreth formimit të klubit, se si erdhi ideja që ky klub të formohet dhe më pas për ecurinë e sukseseve si dhe organizimin e klubit.
Ai u shpreh se stafi drejtues ka bërë një punë të mrekullueshme, duke arritur të grumbullojë afër vetes lojtarë cilësorë si dhe me eksperiencë.
Tahiri: Në Prizren kemi talentë dhe sportistë të mirë
“Klubi futbollistik KF A&N është themeluar në vitin 2017, me iniciativën e disa sportdashësve të cilët e dinë fare mirë se Prizreni e ka një traditë dhe një kulturë goxha të madhe ne aspektin e sportit. Ka pasur klube të mëdha dhe talente të mëdha që kanë dalë nga Prizreni….Në vitin 2019 kemi marrë vendim që të vazhdojmë me ekipin e seniorëve, dhe në atë kohë ishte puna që të fillojë Liga e Dytë pasi që Liga e Dytë ishte liga e fundit ku duhej të niste ekipi, mirëpo u morë vendimi që të themelohet edhe një ligë ku nga dy liga që i kishte dy regjione u bë një ligë unike me 16 ekipe dhe u themelua edhe Liga e Tretë. Kurse ne vetëm kishim filluar marrëveshjet me lojtarët dhe premtimet që do të startojmë nga Liga e Dytë. Ishte një fat i keq për ne, mirëpo arritëm marrëveshje me klubin futbollstik që të bëjnë një fuzionim dhe të startojmë qysh nga Liga e Dytë”, deklaroi Tahiri.
Tutje, Tahiri u shpreh se tanimë në Ligën e Parë, synimet e klubit nga Prizreni janë të arrijnë suksese edhe më të mëdha, pse jo mos të synojnë inkuadrimin në Superligën e Kosovës në futboll.
Tahiri: Synojmë suksese edhe në Ligën e Parë
“Synimet me thënë të drejtën janë ashtu si kanë qenë në Ligën e Dytë, për t’u inkuadruar në Ligën e Parë edhe synimet e Ligës së Parë janë të njëjtë që të arrijmë majat apo kampionin e Ligës së Parë. Ne do ta japim maksimumin për të bërë një gjë të tillë”, u shpreh ai.
Kryetrajneri i A&N, Rafet Mullallari i cili sapo është emëruar në këtë pozitë u shpreh se organizimi i klubit ka qenë në nivelet me të larta, andaj edhe sukseset nuk kanë munguar.
Mullallari: Organizimin e kemi më mirë se disa skuadra të Superligës
“Në fillim kam qenë si ndihmës trajner e tash deshi fati si trajner kryesor e arritëm inkuadrimin në Ligën e Parë. Vërtetë sa i përket Ligës së Dytë të Kosovës kemi pasur kushtet tepër të mira që mund të them se kemi qenë në Ligën e Parë barazi, aty diku edhe me disa ekipe organizimin e kemi pasur më të mirë edhe se do ekipe të Superligës të Kosovës. Fondi i lojtarëve ka qenë i mjaftueshëm për këtë ligë, por ne mendoj se me disa përforcime do të vazhdojmë synimin tonë i cili ka qenë prej ditës së parë, Superliga e Kosovës dhe besoj se atë me punën e kryetarit duhet të arrijmë”, vijoi ai.
Sa i përket aventurës në Ligën e Parë, Mullallari u shpreh se skuadra ka nevojë për disa përforcime dhe do të jetë e gatshme për kundërshtarët.
Mullalari: Me pak përforcime jemi gati për Ligën e Parë
“Kemi lojtarë kualitativë, sidomos kur e dimë që kemi lojtarë që kanë qenë pjesë e Superligës së Kosovës, mendoj se për me arrit synimet tona kemi nevojë përforcime përafërsisht 5, 6 përforcime dhe shumicën e lojtarëve që i kemi besoj se do t’ia vazhdojë kryetari kontratat”, përfundoi ai.
Ndërkohë kapiteni i skuadrës, Altin Sylejmani potencoi se fillimet e klubit kanë qenë shumë të vështirë, mirëpo me punën e madhe të lojtarëve dhe të stafit të trajnerëve klubi A&N ka arritur suksesin më të madh.
Sylejmani: Jemi klub serioz, synim e kemi Suerpligën
“Besoj që çdo klub e ka të vështirë me t’ia fillojë në mënyrën se si ia kemi filluar ne. Ka qenë në fillim e vështirë por me punë dhe angazhim arrihet çdo gjë… Sekreti i suksesit tonë ka qenë puna në klub, serioziteti i klubit dhe puna shumë e madhe e trajnerit dhe stafit. Po si klub siç thash edhe më herët jemi klub serioz dhe me pak përforcime do të ia arrijmë ndonjë rezultat shumë të mirë, siç dihet synim e kemi Superligën, pra me pak përforcime do të ia dalim, shpresoj”, deklaroi kapiteni i skuadrës.
Kujtojmë që tanimë qyteti i Prizrenit do të përfaqësohet me dy skuadra në Ligën e Parë, me skuadrën e Lirisë dhe atë FC A&N./ Tv Malisheva