Shtimja është qyteti i radhës ku po mban tubim Nisma Socialdemokrate, konkretisht në Shtëpinë e Kulturës së këtij vendi.

Këtu u prezantuan edhe kandidatët për deputetë të kësaj ane, Fehmi Hysenaj, Haxhi Shala, Hyzer Gashi, Zejnie Veliu dhe Naim Asllani.

Fehmi Hysenaj, që njëherit është edhe kryetar i degës së Nismës në Shtime tha se kjo parti ka bërë investime të mëdha në këtë komunë dhe se qytetarët e kanë merituar se kanë dhënë kontribut për vendin.

“Qysh në ditën e parë do ta hap zyrën time të deputetit për t’i dëgjuar qytetarët dhe do jap dy bursa për drejtime deficitare”.

Kandidati për deputet Hyzer Gashi tha se kryetari Fatmir Limaj “është lokomotiva që nuk është ndalur kurrë” dhe se do të jenë zëri i qytetarëve.
E vetë Fatmir Limaj tha se nuk ka gjë më të mirë se dalja në votime të lirë dhe qytetarët të kenë mundësi të votojnë atë që duan.

Ai theksoi se do të angazhohet për luftimin e padrejtësive dhe përmirësimin e mirëqenies se qytetarëve.

“Bashkë për shtetin për të drejtat e punëtorëve, për sigurimin social, për gratë, nënat, për gratë lehona, për ato familje që klithin për të drejtat e tyre e nuk ju dëgjohet zëri. Bashkë për shtetin për të luftuar çfarëdo padrejtësie, bashkë për shtetin për të përmbyllur këtë tranzicion dhe për të bërë konsolidimin e shtetit”.

Share.